Studentët e Fakultetit të Psikologjisë shënuan Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down

21 Mars 2019

21 Marsi, në mbarë botën shënohet edhe si Dita Ndërkombëtare e Sindromës Down. Kjo datë shënohet me aktivitete të shumta, qëllimi i të cilave është ngritja e vetëdijes për mbështetjen psiko-sociale ndaj personave me sindromën down dhe integrimin e tyre në shoqëri. Miqve të shumtë nga mbarë bota të kësaj kauze iu bashkuan edhe studentët e Fakultetit të Psikologjisë në Kolegjin AAB, të cilët për së afërmi takuan pjesëtar nga komuniteti duke promovuar moton e Ditës Ndërkombëtare të Sindromës Down për vitin 2019, “Asnjë të mos mbetet prapa” (“Leave no one behind”).

Agnesa, Fitorja dhe Jozefi, studentë të Psikologjisë u shprehën, se sot ndihen shumë të lumtur meqë u është dhënë mundësia që të jenë proaktivë karshi promovimit të kauzës për ngritje dhe sensibilizim të vetëdijes së komunitetit për personat e prekur me sindromën down.

Ndërsa dekanja e Fakultetit të Psikologjisë, prof. Mimoza Kamberi tha se Kolegji AAB vite me radhë ka shprehur gatishmërinë në përkrahjen e iniciativave të tilla. “Studentët tanë janë të përfshirë gjithmonë në aktiviteteve të ndryshme me synim të rritjes së vetëdijesimit ndaj personave me sindromën down se ata janë të barabartë me të tjerët në përmbushjen e të gjitha të drejtave të tyre qofshin fëmijë apo të rritur. Kjo padyshim që përfshinë mundësinë e marrjes pjesë plotësisht në komunitetet e tyre”, theksoi Kamberi.

Share: