Studentët e gazetarisë të AAB-së përfshihen në monitorimin e fushatës zgjedhore

16 Shtator 2021

Një grup studentësh të gazetarisë të Kolegjit AAB janë përfshirë në monitorimin e fushatës së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Studentët, të cilët tashmë kanë nisur trajnimin nga ekspertët e huaj, për një muaj rresht do të monitorojnë komunikimet e politikanëve në rrjetet sociale përgjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Kjo është arritur falë një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar sot ndërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB dhe Institutit Democracy for Development (D4D).

Drejtoresha e D4D, Rrezarta Delibashzade Krasniqi, deklaroi se ky bashkëpunim udhëhiqet nga parimet e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, nga nevoja për zhvillim dhe thellim të bashkëpunimit profesional e akademik në fushën e komunikimit, mediave dhe demokracisë.

Studentët e gazetarisë, sipas dekanit të FKM-së, Hasan Saliu, janë angazhuar në këtë projekt në formë internshipi, ndërsa marrëveshja parashikon edhe bashkëpunime të tjera të dobishme për studentët që lidhen me mediat dhe demokracinë.

Angazhimi i studentëve të gazetarisë në këtë projekt vjen pas nënshkrimit të Deklaratës për mirësjellje në rrjetet sociale, ku janë përfshirë D4D, shoqëria civile, mediat dhe KQZ.

Share: