Studentët e Kolegjit AAB marrin pjesë në garën e Universitetit të Harvardit, HNMUN

19 Tetor 2020

Nga data 11-14 shkurt 2021, për herë të parë në formatin virtual, do të mbahet konferenca më e madhe ndërkombëtare studentore HNMUN “Harvard National Model United Nation”. Për herë të parë në këtë garë prestigjioze, do të marrin pjesë edhe studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, të cilët janë përzgjedhur përmes një konkursi publik, pas procedurave të testimit dhe intervistimit të kandidatëve.

Të mentoruar nga profesorët Skender Gjani dhe Egzonis Hajdari, studentët tanë Lirie Hoti, Dafina Ukaj, Leandrit Llunji, dhe Enxhi Ballata, do të jenë pjesë e edicionit të 67-të të garës më të vjetër dhe më prestigjioze studentore. Në këtë edicion të HNMUN do të marrin pjesë mbi 2500 delegatë nga më shumë se 40 vende për të diskutuar çështjet më të ngutshme në botë dhe për të ndërtuar zgjidhje të ekuilibruara dhe të integruara për çështje të ndërlikuara me rëndësi ndërkombëtare.

Universiteti i Harvard-it është universiteti më i vjetër dhe më i ranguar në Amerikë dhe në botë në fushën e arsimit të lartë, dhe është organizator i konferencës që mbështetet nga Kombet e Bashkuara. Kjo konferencë është inauguruar në vitin 1953, kur një grup studentësh të Harvard-it që më herët e kishin simuluar punën e Lidhjes së Kombeve, kishin vendosur që të fillojnë një simulim të ri, i cili do të reflektonte organizatën e re, të themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, pra Organizatën e Kombeve të Bashkuara.Kolegji AAB i uron sukses grupit pjesëmarrës në këtë konferencë.

Share: