Studentët e Kolegjit AAB me projekt për rikonceptualizimin e magjistrales “Joseph “Beau” Biden III”

12 Shkurt 2021

Një grup studentësh dhe të diplomuarish në Fakultetin e Arkiteturës të Kolegjit AAB, në bashkëpunim me prof.Bujar Demjaha, profesor i arkitekturës në Kolegjin AAB, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë, kanë nisur një projekt ideor për të rikonceptualizuar rrugën nacionale Ferizaj-Viti-Gjilan “Joseph “Beau” Biden III”.

Projekti i ideuar nga studentët e Kolegjit AAB, tashmë i është paraqitur Ministrisë së Infrastrukturës së Republikës së Kosovës, si projekt propozim, për të parë mundësitë e implementimit dhe realizimit të tij, duke përfshirë edhe gjetjen e donatorëve dhe të subjekteve që do të përfshihen në të.

Kjo magjistrale 35 kilometërshe, që është një nga rrugët kyçe për lidhjen e gjashtë komunave të pjesës lindore të Kosovës: Ferizaj, Viti, Kllokot, Partesh e Gjilan, ishte emërtuar në gusht të vitit 2016 me emrin e të birit të presidentit të tanishëm amerikan Joseph Biden (“Joseph “Beau” Biden III”). Beau Biden i cili kishte punuar në Kosovë pas përfundimit të luftës 1998-99, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendorë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), vdiq në moshën 46 vjeçare pas një përballjeje me sëmundjen e kancerit.

Duke pasur parasysh që kjo rrugë nacionale është një nga rrugët më të frekuentueshme në vend, projekti përveç zgjerimit të saj si domosdoshmëri, parasheh edhe pasurimin e saj me përmbajtje plotësuese. Kjo për të nënvizuar devotshmërinë e Kosovës ndaj ShBA-ve, dhe fuqizimin e porosisë së dalë nga lapidari i veprimtarit Joseph R. ‘Beau’ Biden III – demokracia, toleranca dhe bashkëjetesa.

Çfarë përmban projekt-propozimi i studentëve të AAB-së?

Ky projekt-propozim parasheh fuqizimin e lapidarit ekzistues në hapësirën ku është vendosur me një “kafaz” në formë kubi. Kjo strukturë metalike do të mvishet pjesërisht me panele me ngjyra të cilat dhe përmbajnë slogane dhe ri-dizajnohen çdo vit.

Projekti mëton që në Magjistralja “Beau Biden” të pasurohet edhe me 4 pika të tjera në 4 komunat e tjera. Përveç lapidarit dhe memorialit të sipërpërmendur në Sojevë – përballë bazës ushtarake Bondstill (komuna e Ferizajt) planifikohen të dizajnohen pika përkujtimore në komunat: Viti, Partesh, Kllokot dhe Gjilan.

A/ “Shtëpia e pavarësisë” në Sojevë, Ferizaj,
B/ “Altari i lirisë” në Viti,
C/ “Ora e miqësisë” në Partesh,
D/ ”Fontana e përjetësisë” në Kllokot, dhe
E/ “Flaka e amshueshme” në Gjilan.

Në të gjitha tërësitë arkitektonike-artistike (A, B, C, D dhe E) do t’ u jepet rëndësi mundësisë së demontimit dhe montimit në një lokacion tjetër nëse magjistralja pëson shmangie nga korridori i tanishëm.

Share: