Studentët e Kolegjit AAB në degën e Gjakovës, bashkëbiseduan me kryetarin e Komunës së Junikut, Agron Kuçi

8 Nëntor 2018

Qeverisja lokale në Kosovë, që ishte në fokus të debateve e bashkëbisedimeve me kryetarë komunash në Kolegjin AAB, rifilloi sërish edhe në këtë vit akademik, me komunën e parë, atë të Junikut. Me këtë rast, si i ftuari i parë për të diskutuar më studentët për “Qeverisjen Lokale” në kampusin e Kolegjit AAB në Gjakovë ishte kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuqi.

Hapjen e kësaj ligjërate e bëri Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Kolegjit AAB, Venera Llunji, e cila uroi për një fillim të mbarë të ciklit të dytë të ligjëratave për qeverisjen lokale në vendin tonë. Ajo gjithashtu shtoi se këto ligjërata do t’ iu ndihmojnë të gjithë studentëve pjesëmarrës që të dikskutojnë nga afër me kryetarë të komunave të ndryshme, si dhe të shfaqin preokupimet e tyre si studentë të rinj.

“Më lejoni t’ ju uroj mirëseardhje dhe punë të mbarë gjatë këtij procesi ligjëratash të cilin do ta mbajmë si një cikël ose një seri ligjëratash me studentët e Kolegjit AAB, e që ka të bëjë me çështje të ndryshme të cilat na preokupojnë të gjithve nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Kolegji AAB është më se i njohur për aktivitete të tilla të cilat i mban me studentët dhe me mysafirët të cilët ndajnë përvojat e tyre, që ju si studentë të dini se me çfarë do të ballafaqoheni në të ardhmen”, tha  prof. Llunji.

Duke folur për përparësitë e Komunës së Junikut, Agron Kuçi theksoi se objektivat kryesore të komunës me të cilën ai udhëheq janë: ngritja e nivelit të bujqësisë, ruajtja e trashëgimisë kulturore – historike si dhe zhvillimi i turizmit. Ndërsa, tha se fokusi kryesor është tek tokat bujqësore.

“Në fillim të mandatit tim nuk kam menduar se ne do të krijojmë kushte kaq të mira bujqësore për fermerët. Tash kur bëjmë krahasim prej vitit 2010 deri tash, kemi ngritje jashtëzakonisht të madhe të kapaciteteve bujqësore duke përfshirë këtu krijimin e shumë fermave dhe mbjelljen e shumë tokave, e gjitha kjo si bashkëpunim i madh i komunës me qytetarët e saj” tha kryetari Kuçi.

Mandati i tretë si kryetar i Komunës se Junikut, këtë komunë sipas Kuçit nuk e ka gjetur keq as në përfshirjen e gjinisë femërore në pozita të rëndësishme. Por, ai tha se fakti që një numër i kënaqshëm i pozitave menaxhohen nga gratë, nuk do të thotë që Komuna e Junikut të ndalet me kaq.

“Komuna e Junikut qëndron shumë mirë, krahas shtatë drejtorive, ka dy drejtoresha, ka drejtoreshën e shkollës fillore dhe të mesme “Edmond Hoxha”, në stafin shëndetësor mbi 60 % janë të gjinisë femërore, ndërkaq në shkollën fillore mbi 80 % e stafit janë të gjinisë femërore”, shtoi kryetari Kuçi.

Në këtë ligjëratë, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i studentëve të AAB-së të cilët vijnë nga komuna e Junikut, në fund pati edhe shumë pyetje dhe bashkëbisedime me kryetarin për projektet dhe mundësitë e reja për ta.

 

Share: