Studentët e Koreografisë shfaqën performancën e tyre të parë në Teatrin AAB

21 Janar 2020

Studentët e Koreografisë në Kolegjin AAB, që është programi i vetëm studimor për koreografë i akredituar në Kosovë, dhanë performancën e parë publike për studentët dhe stafin e AAB-së.
Në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, koreografët e ardhshëm të udhëhequr nga profesoresha Luljeta Braha, prezantuan arritjet e tyre gjatë semestrit të parë në lëndën kryesore të Koreografisë.
Ata shfaqën rezultatet e tyre në mësimet bazike, duke përfshirë elementet e para që shërbejnë në hedhjen e koreografisë siç janë: motivi koreografik, poza skulpturale dhe pantomima.
“Këta elementë shërbejnë në hedhjen e një pjesë koreografike duke u bazuar në temë, në motive koreografike dhe në shprehjen e emocionit nëpërmjet mimikës dhe gjestikulacionit”, tha prof.Luljeta Braha, duke shprehur edhe vlerësimin e saj për nivelin e lartë artistik e profesional të arritur nga studentët.

 

 

 

Share: