Në kuadër të projektit hulumtues ndërkombëtar për delikuencën e të miturve, ISRD4 (The International Self-Report Delinquency Study), studentët e programit Kriminalistikë të Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, janë duke implementuar anketën me nxënës nëpër shkolla të ndryshme të komunave të Kosovës.
Ky projekt ndërkombëtar po zhvillohet në bashkëpunim me Asociacionin e Kriminologëve, Kriminalistëve dhe Viktimologëve të Kosovës (ASKK), së bashku me partnerët ndërkombëtarë Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut/ Institutin për Parandalimin e Delikuencës dhe Krimit, nga Zvicra; Kolegjin për Shkenca Sociale dhe Humane, të Universitetit Northeastern nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; dhe HETS-FR Shkollën për Punë Sociale.
Projekti ISRD4, që është vazhdimësi e tre edicioneve të mëparshme të këtij hulumtimi, dhe ka për qëllim paralajmërimin e hershëm lidhur me sjelljet devijante nga të miturit delikuente.
Në këtë hulumtim janë përfshirë grup moshat e fëmijëve nga 13-17 vjeç (nxënës nga klasa 7 deri në klasën e 12-të).Studentët e Kolegjit AAB të cilët janë duke realizuar hulumtimin në terren, po udhëhiqen nga prof.Mensut Ademi.