Studentët e Programit për Karrierë dhe Punësim po mbajnë trajnime shtesë për përgatitjen e provimit të Licencës në Gjermani

4 Korrik 2021

Studentët e Infermierisë të Kolegjit AAB, të cilët janë pjesë e Programit për Karrierë dhe Punësim gjatë kësaj jave janë duke mbajtur trajnime shtesë në laboratoret e kolegjit për përgatitjen e Provimit të Licencës, të cilit mund t‘ i nënshtrohen të gjithë studentët të cilët fillojnë punën në Gjermani për marrjen e licencës gjermane si infermier.

Trajnimet po mbahen nën mbikqyrjen e Dekanatit të Infermierisë dhe po realizohen nga Valdete Visoka, e cila është ftuar nga Kolegji AAB nga Gjermania. Përmbajtja dhe planprogrami i këtij trajnimi janë hartuar nga Dekanati i Infermierisë enkas për studentët e Programit me qëllim të përforcimit të njohurive praktike dhe përgatitjes maksimale të studentëve tanë të Programit për provim të Licencës në Gjermani.

Infermierja Valdete Visoka do të ndajë me studentët tanë përvojen e saj shumë vjeçare në fushën e Infermierisë. Kjo praktikë shtesë po realizohet e gjitha në gjuhën gjermane.

Nga ana tjetër po vazhdojnë me intensitet të shtuar edhe kurset e gjuhes gjermane të Infermierisë, organizuar nga Lingua që do t‘ u shërbejnë studentëve në përgatitjen për provimin e licencës dhe lehtësimin e procesit të integrimit të tyre në punë në klinika gjermane.

Programi për Karrierë dhe Punësim është program unik që ofrohet në Kolegjin AAB e që ka për qëllim të ndihmojë studentët në punësimin dhe rrugëtimin e tyre të sigurtë në Gjermani.

Share: