Anita Gashi

Shkenca Kompjuterike

Studentë të vitit të parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, suksesshëm përfunduan zhvillimin e uebfaqeve për dy kompani të ndryshme

Dy studentë të vitit të parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, Anita Gashi dhe Fitim Istrefi, në kuadër të punës praktike të lëndës “Gjuhët Web dhe Teknologji”, suksesshëm kanë zhvilluar nga fillimi dy uebfaqe, njërën për një restorant dhe tjetrën për një kompani “Rent a car”.

Studentja Anita Gashi tha se në zhvillimin e dizajnit të uebfaqes për restaurantin “Lumi Mirushë”, ka punuar rreth një muaj. Uebfaqja përmban historikun e restorantit, menynë, pjesën e rezervimit online si dhe ka disa specifika të veçanta të shërbimit që stafi i këtij restoranti ofron për klientët.

“Tani sa jam ende vetëm në vitin e parë, brenda kësaj periudhe të shkurtër në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB kam arritur që të mësoj bazat themelore të zhvillimit të një uebfaqe në gjuhët: Html, CSS dhe Java Script. Këtë sukses e kam arritur falë profesorëve, asistentëve si dhe nga klubi që vepron brenda Kolegjit AAB për “Web developer”.

Dizajnin e kanë mirëpritur edhe menaxhmenti i restorantit dhe së shpejti, me disa modifikime do ta përdorin si uebfaqen e tyre zyrtare” u shpreh studentja Anita Gashi.

Ndërsa, Fitim Istrefi, edhe ky student i vitit të parë, i cili ka zhvilluar uebfaqen për një kompani që jep vetura me qira, tha se është ndjerë mjaft i kënaqur me njohuritë që ka marrë në Kolegjin AAB, të cilat i kanë ndihmuar që me sukses ta krijojë këtë uebfaqe.

“Varësisht nga kërkesat e pronarëve të kompanisë që japin vetura me qira “Swis Rent a Car Alfa”, me disa modifikime, tani jam në fazën përfundimtare drejt lansimit online të kësaj uebfaqe. E veçanta e kësaj uebfaqe është se në vendin tonë janë shumë të rralla për këtë lloj biznesi”, tha studenti Fitim Istrefi.

Kujtojmë se studentët e diplomuar në Fakultetin i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin AAB, sot nuk janë vetëm zhvillues të thjeshtë softueri, uebfaqeje apo punëtorë në sektorin e rrjetave kompjuterike, por ata bartin edhe pozita udhëheqëse të kësaj fushe. Madje, jo të rralla janë rastet që të diplomuar të kësaj fushe në Kolegjin AAB të jenë bërë pjesë e rëndësishme e kompanive në zë në Evropë, ShBA e Kanada.

Share: