Në ambientet e institucionit të arsimit të lartë universitar AAB, në Prishtinë, u mbajt ceremonia solemne e mbylljes së manifestimit universitar tradicional, më të madhit në Kosovë dhe rajon, “Ditët e AAB-së, 2015”, ku përveç studentëve e profesorëve të AAB-së, morën pjesë, personalitete nga fusha biznesore, hulumtuese e shkencore në nivel vendi dhe ndërkombëtar, miq dhe partnerë të AAB-së.
Në ceremoninë përmbyllëse, rektori i AAB-së, prof. dr. Lulzim Tafa, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar rreth këtyre aktiviteteve dhe tha se këto aktivitete ishin më kreativet që AAB-ja i ka organizuar deri më tani, duke mos harruar për t’ i përmendur organizimet e ndryshme një mujore, si akademike, humanitare, sportive, artistike, etj.
Aktivitete e mbajtura në kuadër të Manifestimit “Ditët e AAB-së, 2015”, të organizuara në bashkëpunim të ngushtë me stafin akademik dhe ekspertë të shumtë, kanë pas për qëllim që t’u ofrojnë studentëve dhe pjesëmarrësve të tjerë një program shumë prestigjioz, me organizime të veçanta, si ligjërata të shumta speciale, debate e tryeza, konferenca shkencore, si dhe aktivitete kulturore-artistike, sportive e humanitare.
Me rastin e përmbylljes së suksesshme të Manifestimit “Ditët e AAB-së, 2015”, u ndanë mirënjohje e shpërblime edhe për kompanitë dhe institucionet partnere të AAB-së.
Me këtë rast, drejtori gjeneral i PTK-së, Agron Mustafa, duke shprehur falënderimet e tij për mirënjohjen e ndarë për këtë kompani nga ana e AAB-së, tha se PTK do të vazhdojë të bashkëpunimin me AAB-në, si një institucion prestigjioz i arsimit të lartë, ndërsa studentët i porositi që të punojnë pareshtur për të sendërtuar ëndrrat e tyre me bindjen se kështu mund të jenë në pozitat që i ëndërrojnë.
Kurse Ora Bytyçi, drejtoreshë e SOS Fshatit të Fëmijëve, institucion ky të cilit iu nda mirënjohje për bashkëpunimin me AAB-në, tha se është kënaqësi t’i shohim këto suksese të studentëve të AAB-së. Ajo tha se: “AAB ka një vend të posaçëm në SOS Fshatin e Fëmijëve, pikërisht për shkak se e diplomuara e parë në studime universitare, nga fëmijët e SOS Fshatit, kishte qenë bursiste e AAB-së”.
Mirënjohje për bashkëpunim iu nda edhe udhëheqëses së rrjetit të Kopshteve “Bardha” në Prishtinë, dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa një të tillë e pranoi edhe AAB nga Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, për kontributin e studentëve dhe stafit të AAB-së, në aksionin për dhurimin e gjakut.
Një mirënjohje në shenjë falënderimi për bashkëpunim, AAB e ka ndarë edhe për sektorin e Arsimit të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Me këtë rast ekspertja amerikane për arsim, Ann Snow, premtoi se Ambasada Amerikane do të vazhdojë të mbështesë AAB-në përmes projekteve të tjera të bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
Në ceremoninë e sotme përmbyllëse të edicionit të tetë të Manifestimit “Ditët e AAB-së, 2015”, të gjithë studentëve, fitues në garat universitare në aktivitetet e ndryshme akademike, hulumtuese, artistike e sportive, iu ndanë mirënjohje, medalje dhe nga një tablet.
Pjesëmarrësit e ceremonisë patën rastin të ndjekin edhe një recital, nga studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze, dega në Gjakovë,vargje këto të shkruara nga studenti Arian Ukmeta, dhe të recituar bashkërisht nga Rrezarta Zengeler, Zana Nura dhe Blerta Zharra. Në fund të ceremonisë organizatori i kësaj ceremonie shtroi edhe një koktej rasti.