Tingujt e Okarinës shqiptare do të dëgjohen në festivalin “PAAF 2019”

17 Maj 2019

Studentët e Fakultetit të Arteve të Kolegjit AAB janë në finalizim të punimit të instrumentit më të lashtë muzikor ”Okarinës”, instrument ky i zbuluar në fshatin Runik të komunës së Skenderajt. Punimet e instrumentit të Okarinës, studentët do t’ i prezantojnë gjatë ditëve të festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”, (PAAF 2019), i cili këtë vit vjen me edicionin e tij të dytë.

Mjeshtri i okarinës i cili po i udhëzon studentët për punimin e kësaj vegle, z. Shaqir Hoti, tregoi se studentët janë tejet entuziastë për punimin e kësaj vepre e cila është një vlerë për vendin tonë. Ai tutje theksoi se vendi ku është duke u punuar Okarina është pikërisht ajo çfarë ju duhet studentëve.

“Jam shumë i lumtur që jam sot këtu me studentët e arteve, dhe po mundohem t’ i  mësoj se si punohet Okarina. Këta janë të vetëdijshëm sa i rëndësishme është instrumenti i Okarinës për kulturën e Kosovës. Ne duhet ta dimë që sa më shumë që e promovojmë këtë instrument i cili është me origjinë autoktone nga Kosova, është më mirë për neve. Uroj që sa më shumë të ketë këso inciativa nga të rinjtë”, tha z. Hoti.

Edhe studentët e Fakultetit të Arteve mirëpritën këtë punëtori e cila ka për qëllim promovimin e instrumentit të okarinës, i zbuluar nga arkeologët në fillim të vitit 1970 në fshatin Runik. Studenti i Fakultetit të Muzikologjisë, Rinor Sadiku mes tjerash tregoi se gjatë studimeve kanë diskutuar shumë për okarinën, mirëpo kjo punëtori po i ndihmon që t’ i shohë në praktikë të gjitha procedurat e krijimit të saj.

Kjo punëtori për studentët e AAB-së është organizuar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, projekt ky i Komisionit Evropian.

Okarinat e punuara nga studentët, do të jenë pjesë e ekspozitës së   studentëve në kuadër të “Prishtina Arts and Architecture Festival” që do të mbahet nga data 22-24 maj 2019 në Kolegjin AAB, e ku krahas profesorëve e ekspertëve, do të ketë hapësirë ​​të konsiderueshme për artistët e rinj, veçanërisht studentët.

 

Share: