Në kuadër të projektit “Let’s Play Maths” i financuar nga Komisioni Evropian dhe që synon përmirësimin e mësimdhënies së matematikës përmes lojërave interaktive dhe aktiviteteve fizike, më 07 – 08 prill 2026, në Kolegjin AAB mbajti trajnimin dyditor për studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit dhe Fakultetit të Shkencave Sociale, me fokus integrimin e aktivitetit fizik në zhvillimin e aftësive matematikore në arsimin fillor.
Trajnimi u realizua nga asistentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Vlora Dermaku, Endrit Durmishaj, Agnesa Rrahmani, si dhe Besim Tërshani (student në nivelin Master), të trajnuar më herët në kuadër të aktiviteteve 2.1.1 dhe 2.1.2 të projektit. Në trajnim morën pjesë 24 studentë nga Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.
Gjatë trajnimit, studentët u njohën me materialet pedagogjike të projektit dhe morën pjesë në aktivitete praktike dhe interaktive, si Loja me kona, Loja e hedhjes, Loja me dhjetëshe dhe Loja e kërcimit, të cilat demonstrojnë lidhjen ndërmjet aktivitetit fizik dhe të nxënit të matematikës.
Ky aktivitet kontribuon drejtpërdrejt në arritjen e objektivave të projektit, duke forcuar kapacitetet e mësimdhënësve të ardhshëm për të zbatuar metodologji inovative, gjithëpërfshirëse dhe angazhuese, si dhe për të mbështetur përmirësimin e rezultateve të të nxënit tek nxënësit e arsimit fillor.


