U promovua libri “Vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore” i autorit Fejzullah Hasani

Listës së librave të promovuar gjatë Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, iu shtua edhe një botim tjetër i Shtëpisë Botuese AAB. Fjala është për librin “Vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, autor i të cilit është Fejzullah Hasani.

Ismet Salihu, profesor i së drejtës penale, i cili foli më shumë për tematikën që është shtjelluar në këtë libër, tha: “Vrasja është një ndër veprat më të rënda që një njeri mund t’ ia bëjë tjetrit. Kjo lloj vrasjeje që autori e ka shtjelluar ka kuptimin e “vrasjes së lehtë”, pasi që në këtë rast viktima kontribuon shumë dhe pasi kontributi i viktimës është shumë i madh. Vrasja në gjendje tronditjeje mendore dënohet pak”, tha në mes tjerash prof. Ismet Saliu.

Ndërsa autori i këtij libri u shpreh se ka qenë në dilemë për shkrimin apo jo të këtij libri.

“Ligji përmban diku rreth katër fjali sa i përket këtij ligji në Kodin Penal dhe ka qenë sfiduese të shkruhet ky libër, pasi që çdo gjë që shkruhet duhet të jetë e saktë në mënyrë që mos ta çorientojë zbatuesin e drejtësisë”, tha Fejzullah Hasani.

Ndëra në fjalën e tij, Prof. Dr.Petrit Bushi foli për vlerën e këtij libri dhe për rëndësinë që ka jo vetëm për studentët por edhe kategoritë tjera të fushës juridike.

”Ky libër është i përmbledhur si një monografi dhe është i organizuar në katër pjesë kryesore. Ka disa vlera që do të ndihmojnë shumë studentët, mirëpo ky libër i shërben edhe kategorive tjera si: gjyqtarëve, avokatëve, prokurorëve në mënyrë që të vlerësojnë sa më objektivisht një çështje të komplikuar sikur që është vrasja në një gjendje të veçantë”.

Të pranishmit në këtë promovim ishin edhe studentë nga fakulteti Juridik të cilët shtruan pyetjet nga fusha e tyre lidhur me këtë libër.

INSTITUTI AAB
APLIKO