U promovuan dy libra të Delia Steinberg Guzman, “Heroi i Përditshmërisë” dhe “Lojërat e Majës”

12 Tetor 2019

Edhe dy tituj të rinj “Heroi i Përditshmërisë” dhe “Lojërat e Majës”, të autores Delia Steinberg Guzman, botime të Shtëpisë Botuese “Akropoli i Ri”, u promovuan në kuadër të edicionit të dytë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.

Libri “Heroi i përditshmërisë” ka gjithsej 29 kapituj në të cilin gjenden tematika që përshkojnë shekullin XXI duke filluar me dashurinë, frikën, lirinë, ankthin, vetëbesimin, etj..

“Ky libër përshkruan një “hero” jo siç jemi mësuar ta njohim prej filmave apo ngjarjeve jetësore por një hero që mbijeton çdo ditë dhe që gjendet brenda secilit prej nesh. Autorja dëshiron të zgjojë shpirtin e heroit tek secili individ duke u përballur me çdo problem që na del përpara. Madje sipas autores në botën të cilën po jetojmë (zhvillimin teknologjik) nuk po ia dalim siç duhet, pasi në vend se të arrijmë zgjidhjen e një problemi ne arratisemi në telefonat tanë duke lejuar kështu grumbullimin e dhimbjes që shkakton ai problem”, tha ndër të tjera Agmie Osmani, nga “Akropoli i Ri”.

Ndër të tjera, shtoi Osmani, në këtë libër shpjegohen disa rrugë për të mos ndjerë frikë në mënyrë që të arrijmë të menaxhojmë dhe mbrojmë anën e brendshme tonën.

Ndërsa libri tjetër i cili u promovua sot, ishte “Lojërat e Majas”, po ashtu botim i Shtëpisë Botuese “Akropoli i Ri”, i cili u prezantua nga Shpresa Kushaj.

Në fjalën e saj, Kushaj tha se “Lojërat e Majas” është libër në të cilin autorja Guzman sqaron disa çështje interesante që njerëzit gjithmonë pyesin rreth tyre si: jeta, vdekja, vullneti, mendimi dhe  intuita.

Të dy librat zgjuan interesim të madh në Panairin Vjeshtor të Librit AAB 2019.

 

Share: