Webometrics radhit Kolegjin AAB të parin nga institucionet jopublike në trojet shqiptare për nga numri i citimeve në Google Scholar

27 Janar 2022

Nga mbi 30 mijë universitete botërore që vlerësohen në rangimin Transparent Ranking, e që mbështetet në të dhënat e Google Scholar, në edicionin e janarit 2022 për herë të parë lista është zgjeruar duke përfshirë mbi 7 mijë universitete dhe institucione të arsimit të lartë në botë.

Sipas të dhënave të publikuara në Webometrics, Kolegji AAB radhitet i pari nga institucionet jopublike të arsimit të lartë jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë hapësirën universitare shqiptare (Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e Veriut).

AAB radhitet menjëherë pas Universitetit të Prishtinës, duke lënë prapa për mijëra pozita të gjitha universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë.

Në bazë të rezultateve, del se në këtë edicion të rangimit, Kolegjit AAB i janë shtuar rreth 1 mijë citime shtesë, duke mos i llogaritur top 20 autorët me numrin më të madh të citimeve, të cilët sipas metodologjisë së përdorur nuk janë përfshirë në rangim.

Kolegji AAB vazhdon të jetë i përkushtuar në zhvillimin e mëtejmë të komponentes së kërkimit shkencor, duke mbështetur dhe përkrahur projektet dhe hulumtimet e stafit akademik dhe të studentëve. Këtë e dëshmon edhe Revista Ndërkombëtare Shkencore “Thesis”, e cila botohet nga AAB, e që tashmë është indeksuar në rreth 50 plaforma shkencore, duke përfshirë: DOAJ, Hrcak, Base Bielefeld, MIAR, Worldcat, etj..

Transparent Ranking, siç quhet lista e top universiteteve nga citimet në Google Scholar, publikohet nga Këshilli i Lartë për Kërkime Shkencore i Spanjës, pjesë e të cilit është edhe grupi hulumtues Cybermetrix LAB.

Share: