Rektori i Kolegjit AAB mirëpriti studentët fitues të Kampionatit Mbarëkombëtar në “Fitness Challenge”

28 Tetor 2025

Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, mirëpriti në takim studentët Arben Sadikaj dhe Shkëlqim Miftari, fitues të Kampionatit Mbarëkombëtar në disiplinën “Fitness Challenge”, të organizuar nga Federata e Bodybuildingut dhe Fitnessit të Kosovës, në bashkëpunim me Kolegjin AAB.

Rezultate të larta dhe përfaqësim dinjitoz

Të dy studentët janë pjesë e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB dhe arritën rezultate të shkëlqyera në garat kombëtare, ku Arben Sadikaj u shpall fitues në kategorinë Gold, ndërsa Shkëlqim Miftari fitoi kategorinë Silver.

Përgatitjet për Kampionatin Botëror në Barcelonë

Në takim mori pjesë edhe Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit, Fatmir Pireva, i cili e njoftoi rektorin për sukseset e studentëve dhe përgatitjet e tyre për Kampionatin Botëror të Fitness Challenge, që do të mbahet në Santa Susana, Barcelonë (Spanjë) gjatë muajit nëntor.

Mbështetje dhe vlerësim nga Rektori Olluri

Rektori Olluri, përgëzoi studentët për rezultatet e arritura, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre si shembull frymëzimi për studentët e tjerë të Kolegjit AAB. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e institucionit për t’i mbështetur studentët në garat ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e promovimit të talentit dhe sportit universitar.

Share: