Misioni i OSBE’së në Kosovë mban tryezë diskutimi në Kolegjin AAB për rolin e bashkësive fetare në epokën digjitale

4 Dhjetor 2025

Në Kolegjin AAB është mbajtur tryezë diskutimi me temën “Roli i bashkësive fetare në epokën digjitale: përfitim apo sfidë për të drejtat dhe liritë e njeriut?”, e organizuar në bashkëpunim me Fakultetin Juridik dhe  Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Ngjarja u hap nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, e cila theksoi rëndësinë e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në nxitjen e dialogut ndërfetar dhe promovimin e të drejtave të njeriut në epokën digjitale.

Këshilltarja Vendore për të Drejtat e Njeriut në Misionin e OSBE’së në Kosovë, Valbone Dërmaku, theksoi përkushtimin e OSBE’së për të mbështetur qasjet gjithëpërfshirëse që fuqizojnë liritë themelore dhe forcojnë bashkëjetesën ndërfetare.

Në panelin e diskutimit që u moderua nga Valbone Dërmaku, morën pjesë përfaqësues nga bashkësitë fetare në vend: Përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës Vedat Sahiti; përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe Staniša Arsić; përfaqësuesi i Kishës Katolike Don Mikel Sopi; përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore Driton Krasniqi dhe dekani i Fakultetit Juridik Mentor Lecaj.

Secili nga përfaqësuesit folën për rolin e institucioneve fetare në promovimin e etikës së komunikimit në platforma digjitale, si dhe rolin e komuniteteve fetare për nxitjen e solidaritetit dhe mirëkuptimit shoqëror. Gjithashtu u përmendën mundësitë që ofron epoka digjitale për edukim dhe hapësirën që ofron në promovimin e paqes, dinjitetit dhe respektit mes njerëzve.

Dekani i Fakultetit Juridik Mentor Lecaj, falënderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe për organizimin e një tryeze të tillë, ndërsa për temën ofroi një perspektivë juridike me theks në përditësimin e politikave publike në përputhje me sfidat e reja teknologjike. Në përmbyllje u theksua rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve fetare dhe akademike për të adresuar sfidat e epokës digjitale.

Share: