Në Kolegjin AAB promovohet libri “Ëndërr në zarf” i autorit Ismail Syla

23 Dhjetor 2025

Teatrin KamertalKolegjit AAB, është mbajtur promovimi i librit më të ri i autorit Ismail Syla, me titull “Ëndërr në zarf”.

Aktiviteti u organizua me praninë e profesorëve, studiuesve, studentëve dhe dashamirëve të librit, duke krijuar një atmosferë reflektuese dhe bashkëbiseduese rreth veprës dhe letërsisë bashkëkohore shqipe.

Në këtë promovim, për librin folën Prof.dr. Agim Vinca, Prof. dr. Bajram Kosumi dhe akademik Lulzim Tafa.

Prof.dr. Agim Vinca, u ndal në dimensionin estetik dhe poetik të veprës, duke theksuar se “Ëndërr në zarf” ndërton një univers të veçantë ku ëndrra, kujtesa dhe realiteti ndërthuren natyrshëm. Ai e cilësoi librin si një kontribut të rëndësishëm në letërsinë bashkëkohore.

Prof.dr. Bajram Kosumi, bëri një analizë të librit nga këndi tematik dhe shoqëror, duke theksuar se vepra trajton çështje të identitetit dhe përjetimeve personale dhe shoqërore. Sipas tij, libri nga Ismail Syla fton lexuesit në reflektim të thellë.

Akademik Lulzim Tafa, u përqendrua në vlerën emocionale dhe komunikimin me lexuesin, duke nënvizuar se “Ëndërr në zarf” është një vepër që lexohet me ndjeshmëri dhe mbetet gjatë në mendje. Ai rekomandoi këtë libër për lexim, duke shtuar se ka peshë të madhe në letërsi dhe rol të veçantë për ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë.

Autori Ismail Syla, në fjalën e tij falënderoi të pranishmit dhe folësit për vlerësimet, ndërsa për librin “Ëndërr në zarf” theksoi se buron nga nevoja për të shprehur përjetime të brendshme, ëndrra të pathëna dhe mesazhe që mbeten duke pritur lexuesin.

Promovimi u mbyll me diskutime të hapura me të pranishmit, që e kthyen aktivitetin në një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi mendimesh rreth letërsisë.

Share: