Në kuadër të projektit Jean Monnet EU-Health Acquis, i mbështetur nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, dhe programit Master në Menaxhim Shëndetësor, është prezantuar raporti i ndërmjetëm “Indikatorët bazë të performancës së sistemit shëndetësor në Kosovë”, i zhvilluar përmes bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.
Aktiviteti u fokusua në analizën e progresit të sistemit shëndetësor në raport me standardet dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, duke diskutuar sfidat dhe zhvillimet kryesore në financimin shëndetësor, fuqinë punëtore, disponueshmërinë e të dhënave dhe monitorimin e indikatorëve shëndetësorë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra Ligjore, duke kontribuar në diskutimet lidhur me zhvillimin e politikave shëndetësore në Kosovë dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e forcimit të sistemeve të informacionit shëndetësor, monitorimit dhe vlerësimit të reformave, si dhe nevoja për politika të bazuara në evidencë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Aktiviteti synoi gjithashtu të promovojë përfshirjen aktive të studentëve në analizën e politikave shëndetësore dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e menaxhimit shëndetësor.
Ky aktivitet u vlerësua për rëndësinë që paraqet nga pjesëmarrësit e tryezës, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin e akademisë në zhvillimin e sistemit shëndetësor.



