Tryezë diskutimi mbi performancën dhe sfidat e sistemit shëndetësor në Kosovë

28 Maj 2026

Në kuadër të projektit Jean Monnet “EU-Health Acquis”, i mbështetur nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, dhe programit Master në Menaxhim Shëndetësor, u organizua tryezë diskutimi për prezantimin e raportit të ndërmjetëm “Indikatorët bazë të performancës së sistemit shëndetësor në Kosovë”.
Raporti është zhvilluar përmes bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, me fokus në analizën e performancës së sistemit shëndetësor në Kosovë dhe përafrimin e tij me standardet dhe prioritetet e Bashkimit Evropian.
Gjatë aktivitetit u diskutuan zhvillimet dhe sfidat kryesore që ndërlidhen me financimin shëndetësor, fuqinë punëtore në sektorin e shëndetësisë, disponueshmërinë e të dhënave, si dhe monitorimin dhe vlerësimin e indikatorëve shëndetësorë.
Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës Ligjore, të cilët kontribuuan në diskutimet lidhur me zhvillimin e politikave shëndetësore në Kosovë dhe harmonizimin e tyre me standardet evropiane.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të sistemeve të informacionit shëndetësor, avancimit të mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit të reformave, si dhe hartimit të politikave të bazuara në evidencë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Aktiviteti shërbeu gjithashtu si platformë për promovimin e përfshirjes aktive të studentëve në analizën e politikave shëndetësore dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e menaxhimit shëndetësor.
Tryeza u vlerësua për rëndësinë që paraqet në fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në afirmimin e rolit të akademisë në zhvillimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Share: