Me 447 pozita më lartë se në edicionin e janarit 2021, Kolegji AAB sërish ka dalur të jetë institucioni më i mirë jopublik në të gjitha trojet shqiptare, sipas listës prestigjioze të rangimit të universiteteve Webometrics.
Në rezultatet e publikuara të Webometrics, për edicionin e dytë të 2021, në mesin e mbi 30 mijë universiteteve të vlerësuara në nivel global, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB vlerësohen dy më të mirat në vendin tonë.
Dy prijëset e listës së institucioneve universitare të Kosovës, kanë pasur ngritje pozitive prej 247 vendesh, Universiteti i Prishtinës dhe 447 vende më lartë, Kolegji AAB. Pozicionim më të mirë në rang global ka marrë edhe Universiteti i Mitrovicës, duke u ngritur për 2457 vende, dhe duke e zëvendësuar Kolegjin UBT i cili në janar ishte i treti pas UP-së dhe AAB-së.
Bazuar në këto rezultate, në universitetet më të mira publike shqiptare janë ranguar: Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Tetovës.
Webometrics që është ranglistë e realizuar nga Cybermetrics Lab, që është pjesë e institucionit më të madh kërkimor publik në Spanjë, Këshillit të lartë për kërkime shkencore, ditë më parë ka nxjerrë edhe listën e 5 mijë universiteteve më të mira sipas citimeve të punimeve shkencore në Google Scholar, ndërsa nga vendi ynë janë përfshirë vetëm Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB.
Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.
Në top universitetet botërore, listës i prijnë universitetet amerikane, të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit, ndërsa më së larti në Evropë është ranguar Universiteti i Oksfordit.