AAB është investimi më i madh i arsimit universitar në të gjithë Ballkanin Perëndimor

2 Tetor 2017

Me një ceremoni solemne, Kolegji AAB, priti studentët e rinj,  të regjistruar në vitin akademik 2017/18. 

Në Prishtinë solemnitet u mbajt në AAB Teatrin “Faruk Begolli”, ku ishin të pranishëm një numër i madh i studentëve të rinj si dhe dekanët e fakulteteve përkatëse.

Me këtë rast, prorektori për Shkencë i Kolegjit AAB, Hasan Saliu, u uroi mirëseardhje studentëve të rinj në botën akademike dhe universitare. Gjithashtu edhe dekanët e fakulteteve të AAB-së, mirëpritën studentët dhe u dëshiruan suksese në rrugëtimin e tyre drejt dijes.

Gjithashtu studentët gjatë ditës së sotme morën edhe oraret e mësimit si dhe vizituan objektin më të ri të këtij institucioni arsimor i cili është më moderni në rajon.

 

Fjalimi i plotë i prorektori për Kërkim shkencor i Kolegjit AAB, prof. ass. dr.  Hasan Saliu:

Të nderuar kolegë, dekanë, profesorë,

Të dashur studentë,

Mirë se keni ardhur në pritjen solemne me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2017-2018.

Studentë të dashur,

Ju sot filloni një fazë të re të jetës tuaj, atë të studimeve, të kualifikimit për të ardhmen, atë të sigurimit të perspektivës tuaj. Gjithkush prej jush ka plane për të ardhmen, plane për të siguruar një të ardhme të denjë. Dikush ka edhe ëndrra, ëndrra për të arritur majat në profesionin e tij të ardhshëm. Dhe, ju keni zgjedhur AAB-në për këto plane dhe për këto ëndrra. Ne i kemi të gjitha kapacitet e duhura që ju të arrini t’i realizoni planet tuaja, ndërsa ëndrrat t’ju bëhen realitet. AAB është investimi më i madh i arsimit universitar në të gjithë Ballkanin perëndimor në këto 20 vitet e fundit. S’ka tjetër, të mos dyshojmë, as publik e as privat. Ta heqim modestinë dhe ta themi me zë, pa ndrojtje: asnjë institucion tjetër arsimor publik e privat nuk i ka këto kapacitete infrastrukturore, këto kushte dhe, kuadro të gatshëm për t’u shërbyer kërkesës së studentëve, për dije. Ju mbetet juve që ta kërkoni këtë dije dhe profesorët tanë janë të përkushtuar që t’ju mbështesin vazhdimisht në përvetësimin e profesionit tuaj të ardhshëm. Vetëm nëpërmjet një arsimimi cilësor, vetëm nëpërmjet përkushtimit tuaj të vazhdueshëm, nëpërmjet leximit, ju mund të arrini majat. Këtë mos e vini kurrë në dyshim. Mos e vini në dyshim as ju që në shkollën e mesme nuk keni mundur të tregoni edhe aq sukses. Bota njeh shumë shembuj, madje edhe nobelistë e shpikës që kanë bërë revolucione në sektorë të shoqërisë moderne që në shkollë të mesme nuk kanë qenë edhe aq të mirë, por më pastaj kanë arritur piedestalin. Ne ju ofrojmë të gjitha kushtet dhe mundësitë që ju, po të doni, të arrini kulmin.

Studentë të dashur,

Duke u kultivuar, e jo thjesht duke i kryer studimet sa për t’u bërë bartës të një diplome,  ju bëheni njëherësh qytetarë të devotshëm të kësaj shoqërie. Nëse dikush na pyet se sa orë vullnetare kemi bërë ne në shërbim të komunitetit, ne pak si në faj i rrudhim krahët. Brezi juaj duhet ta përmirësojë shoqërinë, ta bëjmë atë më të mirë, ndërsa promotor më i fuqishëm i të gjitha kthesave pozitive në shoqëri gjithmonë kanë qenë studentët. Ju tani jeni studentë. Ju tani keni përpara gjithë mundësinë që të jeni kritikë dhe kërkues, për të mirën e shoqërisë. Ne mirëpresim që ju të jeni kritikë, kritikë ndaj nesh, ndaj të tjerëve, ndaj çdo gjëje që s’ka vlerë. Ne këtu ju ofrojmë të gjitha kushtet që ju ta vjelni vlerën. Ne ju ofrojmë që ju të bëheni të suksesshëm, për veten, për familjen, për shoqërinë. E kjo, arrihet vetëm me punë dhe duke qenë kërkues. Na vini në siklet!Kërkoni maksimumin nga ne, mos ngurroni! Ne këtë jua ofrojmë. Ju, ofroni optimumin apo më të mirën e mundshme, jo për ne, por për veten, për të ardhmen tuaj.

Mirëpo, ne nuk jua ofrojmë dijen e gatshme. Askush në botë, asnjë universitet në këtë botë, nuk të furnizon me dije të gatshme. Ne në universitet ju ofrojmë çelësin e dijes, që ju pastaj me ato çelësa të hapni dyert e dijes dhe të suksesit, të ecni përpara, ta mposhtni konkurrencën. Kurrë mos u pendoni nga dija që merrni, nga leximi që bëni. Herët a vonë ajo dije do t’ju veçojë nga të tjerët, do t’ju ngrejë lart, më lart se të tjerët. Kjo ju bën të suksesshëm, shpirti i vazhdueshëm garues. Prandaj, mundohuni që të përfitoni sa më shumë çelësa të dyerve të dijes që më pas t’ju hapen sa më shumë dyer të perspektivës tuaj të sigurt. Ju duhet të punoni fort, ndërsa ne ju garantojmë sukses dhe të ardhme të sigurt, që planet tuaja të sotme dhe ëndrrat për të ardhmen, t’ju bëhen realitet.

Urime edhe një herë dhe faleminderit që keni bërë zgjedhjen e duhur! Suksese!

 

 

Share: