Agim Vinca: Vepra “Shtini n’dhe këto fjalë ” lexohet lehtë, por nuk shlyhet nga kujtesa

21 Mars 2015
Prishtinë, 21 mars 2015 – Në praninë e disa krijuesve të letrave shqipe, miqve të librit, kritikëve letrarë, studiuesve të fushave tjera, publicistëve dhe një numri dashamirësish të fjalës artistike, sot me rastin e 21 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Poezisë, në ambientet e Kolegjit AAB dhe në bashkëpunim me PEN Qendrën e Kosovës, u bë promovimi i librit “Shtini n’dhe këto fjalë”, i poetit Lulzim Tafa, botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”. Redaktor i librit është Nazmi Rrahmani, ndërsa recensent Agim Vinca.
 
 
“Thënë troç, lexohet lehtë, por nuk shlyhet nga kujtesa” tha në fjalë e tij recensenti prof. dr. Agim Vinca, i cili shtoi më pas, se njëzet e sa vjet më parë, takova Lulzim Tafën i cili kishte sjellë për lexim dorëshkrimin e librit të tij të parë me poezi, të cilin kishte dëshirë ta botonte si libër me pas, e rekomandova për botim në cilësinë e recensentit, sepse në vargjet e tij, sado të thjeshta, pashë një poet që po vinte, një krijues që kishte një botë te vetën shpirtërore, të cilën dëshironte t’ua ofron lexuesve mënyrën e vet, dhe dorëshkrimin ia dërgova ish poetit Ali Podrimja, i cili ia dha vizën për botim.
 
 
Kështu, në këtë mënyre më “gjakun që nuk bëhet ujë”, filloi karriera artistike e Lulzim Tafës, dhe duke lënë mënjanë modestinë, se si poet është zbulim i imi. Lulzim Tafa, sot pa dyshim emër i njohur jo vetëm në fushën e poezisë, por edhe në atë të publicistikës, të drejtësisë si shkencë, të drejtave te njeriut, si dhe të jetës sonë intelektuale e akademike në përgjithësi. Por përveç angazhime te mëdha që ka sot  Lulzim Tafa ka mbetur në thelb poet; një poet i veçantë e origjinal si për nga ndjeshmëria thellësia lirike, por aspak patetike, ashtu edhe për nga mënyra e artikulimit të shprehjes poetike.
 
 
Profesor Vinca, siç e ka theksuar edhe në parathënie me të cilën hapet ky libër, e ritheksoi se poezia me e re e Lulzim Tafës është refleks i kohës në të cilën jetojmë. Tema, idetë, figurat, fjalori poetik, gjithçka mban ngjyrën e kësaj kohe. ““Shtini n’dhe këto fjalë “, “Vdekja çon fjalë” dhe i “I kam edhe dy fjalë”, në këta tre libra të Lulzim Tafës shpaloset që në titull raporti i subjektit lirik më fjalë. Ky raport është në harmoni me filozofinë jetësore dhe përvojën historike të njeriut të kësaj toke. Poezia e Lulzim Tafës tingëllon si një bisedë inteligjente me lexuesin: është poezi që të bën për vete si me emocion që transmeton , ashtu edhe me ekspresivitetin e saj gjuhësor. Thënë troç, lexohet lehtë, por nuk shlyhet nga kujtesa.
 
 I pranishëm në këtë promovim  ka qenë edhe redaktor i librit Nazmi Rrahmani, i cili është shprehur teje i kënaqur krijimtarinë e poetit Lulzim Tafa,  në përgjithësi e në veçanti me librin sapo të promovuar.
 
 
Ndërsa prof. dr . Sali Bashota, përfaqësues i PEN Qendrës së Kosovës,  duke folur për librin “Shtini n’dhe këto fjalë “, të autorit, Lulzim Tafa, tha se libri poetik dëshmon se akti i frymëzimit i sistemuar në relacione ligjërimore midis ndjenjës së përfytyruara dhe mendimit kryengritës , duke funksionalizuar magjinë e fjalës të krijojë një efekt të veçanet estetik, i cili e provokon lexuesin , pikërisht dhe shterimin e kuptimeve përbrenda trupit të poezisë.
 
 
Duke i falënderuar të pranishmit si prindër, familjarë dhe miq, shkrimtarë dhe krijuesit e letrave,  përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të medieve, profesorë dhe studentë të AAB-së dhe të ftuar të tjerë AAB- së dhe të ftuar të tjerë poeti , autori i librit, prof. dr. Lulzim Tafa tha: “Të jesh poet para se gjithash mendoj të jesh edhe me fat, kush tjetër përveç poetit dhe ku tjetër përveç në poezi t’i mund ta admirosh krijuesin e gjithësisë, dashurinë, jetën, atdheun dhe pastaj të kthehesh dhe t’iu kundërvihesh atyre. Lufton me tërë qenien tënde për të mirën ndaj të keqes e kur e vlerëson se e ke fituar betejën kthehesh dhe e shkruan një poezi, lavdia i takon djallit. Gjetja si poet në këtë kohë mendoj që është fat”, përfundoi Tafa.
 
 

Promovimi është përcjellë me pika të zgjedhura muzikore, ku përformuan piano Elizabeta Musliu dhe soprano Elikona Hysa , ndërsa madhështinë ia kanë shtuar edhe dy aktorët me poezitë e recituara të zgjedhurat nga libri “Shtini n’ dhe këto fjalë “, si Anisa Ismaili dhe Ermal Rexha, dhe mysafirët e tjerë të shumtë.

 

Poeti Lulzim Tafa, është prezent në letërsinë shqipe për dy dekada e gjysmë, ndërsa numërohet si njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqipe në botë. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si: angleze, gjermane, italiane, serbokroate, boshnjake, rumune, frënge, arabe, greke, turke, suedeze, etj. dhe janë përfshirë në disa antologji, ndërsa është shpërblyer me shumë çmime letrare. Libri “Shtini n’ dhe këto fjalë” i Lulzim Tafës, është botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica” nga Prishtina. Nga fusha e letërsisë, ky është libri i tij i gjashtë, ka 125 faqe dhe mbi 90 poezi, dhe përbëhet nga gjashtë cikle (Paketimi i mërzisë, Ikje, Te Hana, Gurë e dru, Tundimi dhe Kryengritja e muzave), që sajojnë një tërësi homogjene tematike dhe artistike.

Share: