Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është anëtarësuar në Council for Higher Education Accreditation (CHEA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Ky anëtarësim përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale për AKA-në dhe një zhvillim me rëndësi për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, duke forcuar besueshmërinë, transparencën dhe avancimin e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë.
Përmes këtij zhvillimi, krijohen mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim përvojash profesionale dhe harmonizim të praktikave të sigurimit të cilësisë me standardet bashkëkohore globale.
Kolegji AAB e ka vlerësuar këtë arritje si një hap të rëndësishëm në avancimin e arsimit të lartë në vend dhe forcimin e kulturës së cilësisë në institucionet akademike.
Rektori i Kolegjit AAB, Blerim Olluri, në urimin drejtuar AKA-së, ka theksuar se ky anëtarësim dëshmon përkushtimin institucional ndaj standardeve të larta profesionale dhe kontribuon në rritjen e besueshmërisë së sistemit të arsimit të lartë në Kosovë.
Kolegji AAB mbetet i përkushtuar në avancimin e vazhdueshëm të cilësisë akademike, zhvillimin e programeve studimore sipas standardeve ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare në funksion të zhvillimit të arsimit të lartë dhe përgatitjes profesionale të studentëve.