Ambasada e Francës dhe Aleanca Franceze në Prishtinë, hapin zyrën e pranisë franceze në Kolegjin AAB

15 Nëntor 2021

Me një ceremoni solemne të organizuar në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Kosovë dhe Aleancën Franceze në Prishtinë, në Kolegjin AAB u hap zyra e përfaqësimit të Francës dhe Aleancës franceze.

Hapjes së kësaj zyreje i parapriu edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Kolegjit AAB dhe Ambasadës Franceze në Kosovë, më saktësisht Shërbimit për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore në kuadër të kësaj ambasade. Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha dhe ambasadorja e Francës në vendin tonë, Shkëlqesia e Saj, Marie-Christine Butel.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Bujar Demjaha tha se kjo marrëveshje duhet të konsiderohet edhe një sfidë më shumë për të gjithë ne, dhe kjo na obligon të dalim faqebardhë para institucioneve tona dhe në veçanti para komuniteteve tona.


“Filozofia e frankofonisë bazohet në tri shtylla: barazi, komplementaritet dhe solidaritet. Andaj kjo zyrë e pranisë franceze në Kolegjin AAB duhet të shihet si një portë e cila promovon dashuri, tolerancë dhe sinqeritet sepse rajoni i Ballkanit ka nevojë për tolerancë dhe bota ka nevojë për dashuri”, tha Demjaha.


Ndërsa ambasadorja franceze Marie-Christine Butel, hapjen e zyrës në Kolegjin AAB e quajti datë historike për miqësinë në mes të dy vendeve tona. “Kjo zyrë do të jetë hapësira e dukshme e një bashkëpunimi të gjerë dhe shumë të përzemërt në mes të Kolegjit AAB, Shërbimit për bashkëpunim dhe veprimtari kulturore të Ambasadës së Francës dhe Aleancës Franceze në Prishtinë.

Kjo prani franceze është fryt i një pune të gjatë dhe me shumë durim por edhe gjenezë e një programi të shumtë aktivitetesh kulturore e universitare që do të hapet tani”, tha diplomatja franceze.

Në kuadër të zyrës së hapur në Kolegjin AAB do të zhvillohen aktivitete të ndryshme nga Ambasada Franceze në Kosovë, Aleanca Franceze në Prishtinë e Campus France që do të shërbejë për informimin e studentëve që dëshirojnë të studiojnë në Francë, etj..

Krahas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim dhe hapjes së zyrës në Kolegjin AAB, u bë edhe hapja e edicionit të 20-të të Festivalit të filmit frakonfon në Kosovë, i cili do të zhvillohet nga 15-21 nëntor 2021, në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

Solemniteti i organizuar me këtë rast u plotësua edhe me aktivitete të tjera si “Shija franceze” me ç’ rast mysafirët patën rastin të degustojnë ushqime dhe verëra franceze të gatuara nga kuzhinierë francezë, të shoqëruara nën repertorin muzikor të grupit francez Flonflons.

Share: