Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernval: “Finlanda mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave të Kosovës”

16 Nëntor 2019

Në kuadër të ligjëratave speciale për studentët e nivelit master të Fakultetit të Administratës Publike, sot për studentët u fol për politikën e jashtme të Finlandës.

Ambasadorja finlandeze në Kosvë, Pia Stjernval e filloi këtë ligjëratë me historinë e Finlandës. Ajo tha se populli finlandez ishin banorë të atyre trojeve qysh nga kohët e lashta dhe se historia e tyre mund të ndahet në tre pjesë: kohën kur ishin pjesë e Suedisë, pjesë e Rusisë, dhe kur shpallën pavarësinë në vitin 1917.

Një nga problemet me të cilat përballet Finlanda qysh nga viti 2004 është anëtarësimi në NATO. Siç theksoi Ambasadorja Pia Stjernval: “Një çështje që po shqyrtohet ende në Finlandë, është anëtarësimi i Finlandës në NATO, sepse tani ne jemi partnerë të paqes me NATO-n. Që nga viti 2004, është përfolur nëse duhet të jemi pjesë e NATO-s apo jo. Por, opinioni publik ka qenë se ne nuk duhet t’ i bashkëngjitemi NATO-s përfundimisht.”

Sipas Ambasadores Stjernval, Finlanda si shtet edhe pse ka një numër të vogël të popullatës, synon të jetë një ndër vendet më të fuqishme në botë. Për të arritur këtë, ata punësojnë njerëzit më të aftë pa u ndikuar nga politika apo miqësia. “Ne kemi nevojë t’ i vëmë në detyrë personat më të aftë në mënyrë që të arrijmë fitoren”, tha ambasadorja finlandeze.

Kur Ambasadorja Stjernval u pyet për politikën e jashtme të Finlandës, ajo së pari tha: “Ne duam të kemi një marrëdhënie funksionale me Rusinë, dhe kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Ne nuk presim që ata të jenë gjithnjë të kuptueshëm, mirëpo mjafton që të jetojmë së bashku në qetësi.” Kurse në anën tjetër, me Skandinavinë, Finlanda ka marrëdhënie shumë të mira.

Ajo gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme për Finlandën sepse që të gjitha duam të kemi rend botëror dhe se “të drejtat dhe barazia njerëzore janë disa nga çështjet kryesore me të cilat merret politika e jashtme e Finlandës.”

Përfundimisht, ajo tha se “Bashkimi Evropian është më i fuqishëm nëse shtetet Ballkanike janë pjesë e tij dhe se kjo do të ndihmonte në stabilitetin dhe paqen e rajonit.”

Finlanda mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka punuar shumë, drejt arritjes të këtij qëllimi, edhe pse ende është proces i parealizuar, tha në mes tjerash diplomatja finlandeze.

 

   

Share: