Botimet e Shtëpisë Botuese AAB po prezantohen në “Salon du livre” në Paris

27 Mars 2017

Në panairin e librit të Parisit, i njohur si “Salon du livre de Paris”, për herë të parë po marrin pjesë edhe botimet e Shtëpisë Botuese AAB, krahas shtëpive të tjera botuese të Kosovës, si AshA, Koha, Buzuku, etj.

Botimet e Kosovës janë përzgjedhur nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, e cila është mbështetur nga Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Panairi i librit të Parisit, një nga panairet më prestigjioze të librit në botë, sivjet shënon edicionin e 37 të tij, ndërsa në të po marrin pjesë mbi 1200 botues, dhe mbi 3 mijë autorë, shumica nga ta yje të letërsisë bashkëkohore botërore.

Në hapje të panairit Salon du livre de Paris, mori pjesë edhe presidenti i Francës, François Hollande, për të nderuar librin dhe kontribuesit e tij. Ndërsa vet panairi i sivjetmë i librit në Francë do të nderojë letërsinë marokiene dhe afrikane.

Share: