Çdo vit në Kosovë diagnostikohen 1500-1600 pacientë të rinj me kancer

5 Shkurt 2021

Në shënim të 04 shkurtit, Ditës Botërore të Kancerit, programet e fushave të mjekësisë në kuadër të Kolegjit AAB organizuan dy aktivitete të rëndësishme që kanë për qëllim vetëdijesimin dhe format e parandalimit të kësaj sëmundjeje.

Në një ligjëratë të organizuar në Qendrën Mediale të Kolegjit AAB, ku ligjëruan ekspertët e onkologjisë, Sehad Kadiri e Ekrem Hyseni, u tha se Kosova shënon 1500-1600 të diagnostikuar të rinj në vit, me këtë sëmundje vdekjeprurëse.
Edhe në botë, kjo sëmundje konsiderohet si një nga sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë, ndërsa llogaritet se çdo minutë humbin betejën me te 17 persona në glob.

Onkologu Ekrem Hyseni, mësimdhënës në Kolegjin AAB tha se deri tani në Kosovë aparatura për trajtimin e kësaj sëmundjeje në QKUK ka qenë e vjetruar, ndërsa kohët e fundit ka pasur zhvillime në përmirësimin e aparaturës teknologjisë për trajtimin e kancerit. Ai bëri të ditur se së shpejti do të lëshohet në përdorim edhe aparati i ri për terapinë e rrezatimit.


Nga ana tjetër, Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB dhe Universiteti “Dokuz Eylül” nga Turqia organizuan një tryezë të përbashkët diskutimi online, në shënim të “Ditës Botërore të Kancerit”. Në këtë tryezë u diskutua edhe për format e reja të trajtimit të kësaj sëmundjeje, ku u fol në veçanti për efektet e muziko-terapisë.
U përmendën po ashtu edhe faktorët që ndikojnë në parandalimin e kësaj sëmundjeje, si zvogëlimi i pirjes së duhanit, alkoolit, aktiviteti fizik, cilësia e ushqimit që hamë por dhe zbulimi i hershëm.

Share: