Dita e dytë e aktiviteteve në NLA University College në Bergen u karakterizua nga një program dinamik dhe përmbajtësor, i zhvilluar në kampusin Sandviken. Aktivitetet nisën me punëtorinë “Challenges in the Age of AI”, të ligjëruar nga Klemens Kavallin nga Departamenti i Teologjisë, Religjionit dhe Filozofisë, ku u trajtuan sfidat bashkëkohore që inteligjenca artificiale paraqet për shoqërinë dhe akademinë.
Në vijim, ligjeruesja Irene Kinunda Afriyie mbajti punëtorinë me temë “How to Become Norwegian in One Year”, duke sjellë një perspektivë interesante mbi integrimin kulturor dhe social në kontekstin norvegjez.
Thelbi i ditës ishte organizimi i panairit informues për studentët dhe stafin e NLA-së, i cili shërbeu si një platformë ndërveprimi për institucionet pjesëmarrëse. Ky panair u ofroi vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me programet akademike, projektet dhe veprimtarinë e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, stafi i Kolegjit AAB zhvilloi takime me një numër të madh studentësh, të cilëve u prezantoi në mënyrë të detajuar ofertën akademike, zhvillimin institucional, si dhe dimensionin historik e kulturor të kolegjit. Gjithashtu, u theksuan mundësitë konkrete për shkëmbime studentore dhe përfshirje në programe ndërkombëtare, duke nxitur interes të konsiderueshëm tek pjesëmarrësit.


