Aborti, problem shqetësues për femrat e reja në Kosovë

22 Mars 2017

Intervistë me Rabhane Dema

Kosova si një vend i vogël,  por që ka popullsinë më të re në rajon , kohëve të fundit është duke u ballafaquar me problemin e abortit të vajzave të reja. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri më i madh i aborteve në Klinikën Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë kryhet nga vajzat e moshës 15 deri në 25 vjeçare. Rabhane Dema, kryeshefe e Zyrës së Pranimit dhe Planifikimit Familjar në QKUK, në intervistën për revistën e AAB-së, flet për shkaqet që çojnë një femër drejt abortit, rrezikun nga aborti dhe masat të cilat parandalojnë shtatzënitë e padëshirueshme si për femrat ashtu edhe për meshkujt. 

Zonja Dema, a mund të na tregoni sa është numri i aborteve në repartin e gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës?
Në QKUK, në repartin e planifikimit familjar, në vitin 2013 kemi pasur 124 aborte. Këto aborte përfshijnë zonat rurale dhe urbane të reja dhe të vjetra, por duke mos harruar që numri i tyre është edhe më i madh duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e femrave e kryejnë abortin nëpër klinika private.

Sipas jush cilat janë arsyet që e shtyjnë një femër të abortojë?
Në klinikë lajmërohen femra të shumë profileve, edhe të reja por edhe gra të martuara mbi moshën 40-vjeçare. Mirëpo, numri më i madh është i vajzave të reja që kanë probleme me partnerin, i studenteve dhe i atyre me probleme sociale dhe ekonomike. Neglizhenca e tyre për të përdorë mjetet parandaluese për shtatzënitë e padëshiruara, ato e shohin abortin si shpëtimin e fundit.

Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohet një femër pas abortit, dhe a janë të informuara femrat për këto probleme?
E para, femra nuk duhet të lejojë që të vijë deri te aborti, por kur vjen deri në atë pikë atëherë duhet të ballafaqohet me problemin. Ne së pari mundohemi t’i informojmë femrat për pasojat direkte-indirekte, afatgjata-afatshkurta siç janë: gjakderdhja, lëndimi i mitrës, ndezje kronike, sëmundje të tjera të cilat shkojnë zinxhirë njëra pas tjetrës e deri të ajo me e keqja me heqjen e mitrës që edhe mund të kalojnë në sterilitet gjatë gjithë jetës. Për të gjitha këto, ne i informojmë dhe mundohemi t’i bindim që të heqin dorë nga aborti. Në rrezik më të lartë janë femrat të cilat abortojnë në shtatzëninë e parë, 50 % e tyre kalojnë në sterilitetet përfundimtar.

Nga cila moshë ka më shumë kryerje abortesh?
Kryesisht moshat e reja mbi 15-25 vjeç, nxënëse të shkollave të mesme, studente, ndërsa nga mosha 30-45 vjeç janë femra të martuara por që kanë fëmijë shumë dhe kanë kushte të rënda ekonomike. Aborte kryhen shumë edhe nga femra të punësuara, të cilat detyrohen të abortojnë për shkak të kushtëzimit me humbjen e vendit të punës. Vajzat e reja më shumë preferojnë klinikat private, pasi ato duan shumë konfidencialitet. Gjithsesi klinika jonë ruan konfidencialitetin për secilën grua.
A duhet të merret pëlqimi i prindërve për abortet e femrave nën moshën 18 vjeçare?
Po, pëlqimi dhe prezenca e njërit prind duhet patjetër, pasi pa pëlqimin e prindërve në kliniken tonë ne nuk i bëjmë abortet, ose vetëm nëse ka komplikim të shëndetit të nënës dhe është në rrezik, atëherë këto raste ne i dërgojmë në komisionin e shkallës së parë dhe vendimin e merr ky komision.

Cili është dallimi në numër i aborteve nga zonat rurale dhe urbane?
Pothuajse njësoj , te zonat rurale shumica e aborteve bëhen shkaku i gjendjes sociale, fëmijë shumë në familje, ndërsa te zonat urbane kryesisht kur nëna është e punësuar dhe kushtëzohet me humbja e punës. Por ajo që vlen të ceket është se kohëve të fundit kemi numër të madh të vajzave të reja në përgjithësi që po kryejnë aborte.

Me ligj është e ndalur që të kryhet aborti pas javës së 10-të të shtatzënisë, a kryhen edhe pas kësaj jave dhe cilat janë ato raste?
Të gjitha rastet që na vinë pas javës së 10-të, ne i dërgojmë në komisionin e shkallës së parë, i cili në raste se ka komplikime në shëndetit e nënës ose në raste se ka anomali të frytit atëherë lejohet që të kryhet aborti deri në javën e 12-të, por të gjitha këto bëhen në bazë të ligjit dhe asgjë ne nuk kryejmë jashtë procedurave ligjore.

Cilat janë procedurat zyrtare që duhet të ndiqen para se të vije deri te aborti?
Se pari merret pëlqimi i pacientit, pastaj procedurat mjekësore që janë: sekreti vaginal-cervikal, pasqyra e gjakut, urina, koha e kaugulimit dhe grupi i gjakut, pasi që duhet të përgatitemi për komplikimet direkte. Pa i bërë këto analiza nuk mund të kryhet aborti.

Zonja Demi, a mendoni se mjaftojnë fushatat vetëdijesuese për parandalimin e abortit, sidomos te femrat e reja?
Ne mundohemi , Klinika Gjinekologjike mundohet që t’i sensibilizojë meshkujt, por sidomos botën femërore, të mos lejojnë që të vijnë deri te shtatzënitë e padëshiruara. Kohëve të fundit kemi shumë masa mbrojtëse që mund të përdoren siç janë: pilula, kondomë, kontraceptivë të shpejtë. Femra jonë duhet të vetëdijesohet, mos të lejojë që aborti të jetë mjet kontraceptiv, kjo është e fundit. Jo vetëm femrat por edhe meshkujt duhet të vetëdijesohen, pasi këto mjete parandaluese jo vetëm që të mbrojnë nga shtatzënitë e padëshiruara por dhe nga sëmundjet infektuese.
Intervisoti: Vlora Selimi

Share: