Aktori kosovar kthen komunikimin me publikun,madje duke pasur edhe njërin nga rolet kryesore në serinë me të shikuar në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kroaci, Mal i Zi dhe Maqedoni. Në komedinë “Lud, Zbunjen, Normalan”(i marrë, i hutuar, normal) ai interpreton rolin e një shqiptari të ri nga Kosova, i cili në Sarajevë ushtron profesionin e producentit.
Suksesin që keni pasur në kinematografinë shqiptare e keni bartur edhe përtej vendit, më saktësisht në rajon. Si jeni pritur nga audienca në Bosnjë dhe Hercegovinë?
Jam pritur shumë mirë dhe sa herë që shkoj në Bosnjë, por edhe në vendet e tjera në rajon, e vërej që audienca më pret me shumë respekt dhe më mbajnë mend shumë mirë.
Në komedinë rajonale ‘’Lud, Zbunjen, Normalan’’ (‘’I marrë, i hutuar, normal’’), luani rolin e një shqiptari modern që ushtron profesionin e një producenti. Ishte kjo për ta bindur audiencën se vërtet jemi të tillë të përparuar apo ishte thjesht skenari i përgatitur ashtu pa ndonjë imazh të përtejmë komedisë?
Jo, nuk e besoj që kjo ka të bëjë shumë me realitetin. Kjo është një komedi e situatave, dhe aty janë mbledhur disa karaktere që krijojnë situata komike sipas skenarit.
Pas shkëlqimit në Sarajevë, cili do të jetë destinacioni i radhës i juaji?
Nuk e di ende sigurt, me gjasë do të filloj së shpejti në një projekt këtu në Prishtinë, dhe me ardhjen e muajit mars mbase do të jem jashtë skenës vendore në një projekt madhor, por për këtë s’ do të doja të flisja edhe pak…
Keni pranuar një ofertë nga ish aktori i mirënjohur në skenat e ish-Jugosllavisë, Milutin Mima Karaxhiq, për të luajtur në serinë “Budva në shkumën e detit”?
Po, edhe ky projekt është një nga mundësitë që bashkë me menaxherin tim, jemi duke e shqyrtuar seriozisht, por do të varet pak edhe nga agjenda ime, sepse nuk e di sigurt nëse do të kem kohë t’ i përgjigjem.
Agjenda juaj është shumë e ngjeshur, krahas profesionit si aktor jeni edhe ligjërues njëherësh edhe kryetar i bordit të universitetit më të suksesshëm në vend, Universitetit AAB. Si qëndroni në këto dy relacione sa i përket orarit dhe kohës për t’u marrë me studentët?
Të gjitha këto punë kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm dhe energji. Përveç këtyre është edhe familja që kërkon kujdes të veçantë, por përpiqem të jem i saktë në secilën nga këto angazhime. Unë përpiqem të jap maksimumin tim, besoj që edhe suksesi është evident.
Çka e konsideroni si të arritur dhe të dështuar në karrierën tuaj?
Para se gjithash e vlerësoj faktin dhe jam falënderues jashtë mase që jam shëndosh dhe që mund të jap më të mirën nga vetja në krejt këtë angazhim timin. Arritje dhe suksese në karrierën time, pa modesti, ka pasur – kam arrit të rrëmbej çmime vendore e ndërkombëtare në fushën e aktrimit, ndërsa Universiteti AAB, që për mua është prioritar, ka thyer kufijtë jo vetëm vendor e rajonal por po vazhdon me sukses të shpërndajë dije edhe për studentë nga vende evropiane e më larg. Uroj të vazhdojmë kështu, ndërsa në krejt këtë sukses, nuk e di nëse dështimet do të mund të vëreheshin.
Intervistuan: Sibel HASANI dhe Doriona VELIU