Fituesi i The Voice synon çmime të tjera

22 Mars 2017

Intervistë me Florent Abrashi

Pas fitores së madhe në spektaklin e këngës The voice of Albania 3, këngëtari nga Kosova Florent Abrashi i ka vënë vetes një sfidë tjetër. Ai po merr pjesë në festivalin e këngës moderne shqiptare Top Fest, por këtë herë me një këngë të bërë nga vetë ai. Edhe këtë herë Florenti ndodhet në mesin e dhjetëra artistëve të rinj  shqiptarë, të cilët garojnë për çmimin e parë. The Voice of Albania 3 mbetet një përvojë e pa harruar për Florentin  të cilën ia rekomandon secilit që ëndërron të bëhet këngëtar.

Prej nga ideja për të marrë pjesë në THE VOICE OF ALBANIA 3?
Ideja lindi spontanisht në kokën time. Pasi i pashë disa nga audicionet e fshehura të mëparshme vendosa ta sfidoj veten në ato rrethana, pra ta shoh se çfarë mund të bëj!

A e prije shtypjen e butonit nga të katër anëtarët e jurisë në paraqitjen tënde të parë?
Realisht synimi im ka qenë që ta kthej vetëm një karrige, d.m.th. që në hapin e parë përjetova befasi. Ndërsa reagimi i publikut ka qenë shumë befasues, duke qenë që edhe kënga nuk është shumë e njohur nga njerëzit. Siç duket diçka funksionoi si duhet, dhe ja ku jam!

Megjithatë, ti e zgjodhe për trajner Sidrit Bejlerin. Pse?
Sidritin e zgjodha për shkak të bagazhit kulturor që ai ka si dhe aftësimit profesional në këndim, pasi q kisha synim të bëhesha këngëtar më i mirë. Gjithashtu me Sidritin na lidhë shumë shija muzikore, sepse që të dy e adhurojmë muzikën Heavy Metal të viteve 80, e me radhë.

A pati ndikim në këtë zgjedhje tënden fakti që fituesja e vitit të kaluar të kësaj gare ishte pikërisht nga skuadra e tij?
Fatkeqësisht nuk kam arritur ta përcjellë Venerën me aq vëmendje sa do doja, prandaj them që nuk ka luajtur rol fitorja nga ekipi i Sidritit, pasi nëse do e merrja parasysh këtë fakt do të ishte një pengesë për mua, sepse edhe ashtu askush nuk besonte që trofeu do të shkonte te Sidriti prapë.

Si është të punosh me Sidrit Bejlerin?
Puna me Sidritin është një përzierje shumë e bukur e punës serioze, kritike, rigoroze dhe humorit të pafund. Sidriti jo vetëm për mua, por për të gjithë konkurrentët e tij mundohet të jetë gjithmonë afër tyre, me këshilla dhe me kritika që për mua kanë qenë shumë të rëndësishme. Është shumë i logjikshëm sa i përket përzgjedhjes së këngëve, kështu që një pjesë shumë e madhe e fitores i atribuohet atij.

Po me konkurrentët e skuadrës çfarë raportesh kishe dhe a e shihje ndonjërin prej tyre si fitues potencial të kësaj gare?
Me gati çdo konkurrent që unë kam takuar aty, kemi pasur dhe vazhdojmë të mbajmë kontakte shumë të mira, dhe normalisht e kam cekur qysh prej fillimit, pretendentët kryesorë për mua kanë qenë Sigi, Anisa, Armela, Beni. Sidomos me Benin kam një shoqëri shumë të mirë, dhe e adhuroj si këngëtar, është i magjishëm!

Po për vete, a e prisje fitoren dhe si u ndjeve në momentin kur u shpalle fitues?
Nuk e kam pritur, thellë në kokë e kam menduar dhe shpresuar, po kur u thirr emri, u zhyta në një lloj ëndrre, një lloj gjendje shoku dhe nuk arrija t’i perceptoja gjërat mirë. Jam ndier jashtëzakonisht mirë në ato momente!

Cili ishte reagimi i familjes dhe shoqërisë për këtë sukses tëndin?
Normalisht reagimi i familjes dhe i shoqërisë ka qenë shumë i mirë, sidomos për familjen, pasi që ata nuk kanë qenë edhe shumë të njoftuar me vokalin tim, ose më mirë të them me Florentin si këngëtar i skenës.

Edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, bëri një pritje për nder tëndin si dhe të dy gjysmë finalistëve tjerë nga ky vend, Albi Xhepes dhe Vesa Smolices, me ç’rast shprehi mirënjohjen dhe admirimin e saj për këtë sukses tuajin. Ti personalisht si e vlerëson këtë pritje të kryetares?
E vlerësoj jashtëzakonisht shumë këtë gjest të zonjës kryetare pasi qe më ka dhenë jo vetëm mua, por edhe qytetarëve të Gjakovës shpresë qe arti ende vlerësohet nga dikush. Më ka bërë shumë krenar që jam pjesë e atij qyteti, u ndjeva shumë “në shtëpi”!

“Një shans që nuk merret, është një shans i humbur”- ke thënë ndër të tjera në prezantimin tënd para audicioneve të “Voice”-it. Sot kur kjo eksperiencë ka përfunduar dhe ti ke arritur të triumfosh a ndjehesh i lumtur që ia dhe vetes këtë shans?
Jam jashtëzakonisht i lumtur që nuk u dorëzova në momentet e para të frikshme dhe vendosa ta çoj deri në fund, sepse me të vërtetë ka qenë një prej përvojave më të bukura të jetës sime, të cilën ia rekomandoj secilit që ëndërron të jetë këngëtar.

Tash a do të marrësh pjesë në ndonjë festival sikurse ndodh me shumë artistë të rinj apo do bësh pauzë të paktën këtë vit nga garat muzikore?
Siç duket nuk do të mund të ikë nga garat për momentin, sepse po planifikoj që të marrë pjesë në Top Fest me një këngë që e kam shkruar unë. Shpresoj që të mirëpritet nga publiku.

Intervistuan: Kadrije Majkovci dhe Mersime Majkovci

Share: