Merre kontrollin mbi jetën tënde!

23 Mars 2017

Ata janë të gatshëm për punë, kanë energji pozitive, vullnet të madh për jetë dhe të përgatitur për sfida. Mirënjohës të çdo gjëje, të lumtur me atë se çfarë kanë. Këto tipare rrallëkush i ka. Këto tipare i kanë vetëm një grup personash që dallojnë shumë pak nga njerëzit e zakonshëm, e ndjejnë vetën të barabartë në çdo profil të jetës.


“Merre kontrollin mbi jetën tënde’’ është sllogani i një organizate të madhe. Bëhet fjalë për organizatën HandiKOS. Organizatë që prek ndjenjat e thella të gjithsecilit. Kjo është një shoqatë e paraplegjikëve dhe paralizës e themeluar në vitin 1983, ku objektivi kryesor ishte përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit.
Në qendrën e rehabilitimit në Prishtinë në lagjen Dardania, Faruk Kukaj, person me aftësi të kufizuar, përgjegjës për këtë zyrë dhe njëkohësisht edhe menaxher i projekteve, tregon me plotë dashuri të gjitha rreth kësaj organizate. Me të hyrë në këtë qendër të gjithë anëtarët me aftësinë e tyre tregojnë respekt dhe mirësjellje për mysafirët. Si fillim ishte kafeja, dhe ca ëmbëlsira të gatuara nga vetë ata. Krijuan një ambient shumë të ngrohët dhe miqësorë. Muhabeti që unë doja të bëja u duk sikur u mirëprit shumë nga ana e tyre.
Fjalët e para të Farukut janë për veten e tij. 50 vjeçari rrëfen se është i lindur me aftësi të kufizuar apo siç e çuan ai ‘’përdorues i karrocës’’. Prejardhjen e ka nga Mali i Zi. Për një jetë më të favorshme janë zhvendosur në Kosovë. Familja e tij ia kishte mundësuar qysh në atë kohë karrocën elektrike pa pasur nevojë për ndonjë përcjellës.
‘’Përmes kësaj karroce elektrike e kam ndier veten pak më të pavarur. E kam ndier veten shumë ma të lirë. Kam përcjell sporte nëpër stadiume, kam përcjell filma nëpër kinema, kam bërë piknik, kam përcjell koncerte e kështu me radhë’’- thekson ai.
Faruku, prej themelit të HandiKOS-it, thotë se ishte vazhdimisht aktiv e deri mbas luftës kryente punë vullnetare. Prej asaj kohe kishin filluar që të kryejnë shërbime për personat me aftësi të kufizuar duke dhuruar kështu karroca për lëvizje, shtaga etj. Ishte themeluar dhe një grup ku kryenin vizita personave me aftësi të kufizuar edhe nëpër shtëpitë e tyre.
Me aktivitete të ndryshme dalëngadalë janë zbuluar edhe talentet e personave me aftësi të kufizuar për piktura, shkrime të ndryshme, madje kishin organizuar edhe një kurs për shkrim e lexim dhe një kurs tjetër për kompjuterizim. Së bashku kanë përfunduar një projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian ku të moshuarit me aftësi të kufizuar kanë dizajnuar dhe kanë krijuar me anë të aktiviteteve kreative figura të ndryshme dhe shumë interesante me anë të objekteve si gota, tegulla, kutia etj. Këto figura kohë pas kohe janë ekspozuar në vendet publike të kryeqytetit. Nga vetë këta persona janë krijuar bizhuteri të duarve dhe të qafës.


Menjëherë mbas luftës ishte bërë një traditë në HandiKOS ku zhvillohej një kamping që realizohej në sezonin e verës në bregdet. Krahas relaksimit në këto kampingje ka pasur edhe aktivitete të caktuara. Përveç bregdetit në mënyrë të organizuar disa anëtarë kanë shijuar edhe banjën. Faruku tregon se në HandiKOS ka edhe aktivitete sportive. ‘’ Kemi arrit t’i formojmë diku 6 klube për sportet: Basket në karroca, tenis në karroca, ping-pong, vrapime në gjysmë- maratonën e Prishtinës, aktivitete sportive të shenjëtarisë, bowling, shah etj’’ tha ai.
Ndihmat nga jashtë Kosove nuk kanë munguar, por në këtë rast ka edhe histori të dhimbshme:
‘’ Një biznesmen italian u pat nis të vije në Kosovë me helikopter ushtarak për t’i ndihmuar kosovarëve, por fatkeqësisht si pasojë e disa defekteve ai helikopter është rrëzuar dhe italiani ka vdekur. Prej asaj kohe familja e tij çdo vit financon kampingun veror, ku marrin pjesë deri 200 persona me aftësi të kufizuar’’- shpjegon Faruku.


Përveç 18.000 anëtarëve që ka kjo organizatë që janë të regjistruar, të gjithë me aftësi të kufizuara, ka edhe persona që nuk kanë fare interes por vetëm shprehin vullnetin e mirë për t’iu dalë në ndihmë këtyre personave në nevojë. Njëra ndër to është edhe Adelina Elshani nga Drenasi studente e vitit të 3 të Pedagogjisë Sociale Fakulteti Filozofik. Ajo kishte pasur si detyrë në fakultet t’i bëjë tre muaj praktikë në këtë shoqatë. ‘’ Kur e pash se këta persona kishin nevojë shumë, pasi e kam përfunduar praktiken kam shpreh dëshirë të vazhdojë ende të bëjë punë vullnetare. Jam këtu prej janarit të vitit të kaluar. Edhe pse kam qenë veç vullnetare e kam bërë të njëjtën detyrë si punëtore e HandiKOS-it. Më shumë iu kam ndihmuar në aktivitetet kreative po se kam këqyr kurrë veç qatë drejtim, çka do që ka pasur nevojë unë kam qenë aty’’ tregon vullnetarja.
Edhe Hajredin Krasniqi nga Shushica, person me aftësi të kufizuara, tregon se në vitin 2004 është anëtarësuar në HandiKOS. ‘’Në dhjetor të 2007 kam startuar si praktikant për UNDP për tre muaj. Mbas asaj kohe kam filluar punën si arkivist, prej aty e kam ndërruar pozitën ne asistent administrativ. Qe dy vjet edhe unë bëj punë vullnetare në HandiKOS me pajisje të zërimit. Përveç përvojës të punës që e kam fituar kam arrit t’i heq edhe do komplekse të mijat për këtë gjendje‘‘- rrëfen Hajredini.
Aktualisht HandiKOS aktivitetin e vet e zhvillon në të gjithë territorin e Kosovës me 13 zyra lokale dhe 14 qendra të rehabilitimit të bazuar në bashkësi. 3 dhjetori është dita që iu dedikohet vetëm atyre.

Defrim Pervetica

Share: