Një ditë punë për një veshje unike…

22 Mars 2017

Intervistë me Lia Stublla

Stilistja e njohur Lia Stublla është një nga emrat më të kërkuar në modën shqiptare. Përveç listës së klientëve të saj, Lia kujdeset për veshjen e këngëtares Dafina Zeqiri plot katër vite.

Si e keni filluar karrierën e stilistës?
Profesioni i stilistes ka qenë ëndërr e imja e fëmijërisë.
Gjithmonë e kam dëshiruar këtë rrugë të palodhshme, por për të arritur këtë rezultat, kam punuar vazhdimisht që prej shkollës fillore. Kam qepë për vetën time dhe për shoqërinë. Edhe pse kam përfunduar shkollën e muzikës, të njëjtën kohë ka qenë dëshira për t’u bërë stiliste. Unë kam përfunduar 3 vjet fakultetin për Fashion Desing Factory, isha asistente e parë në brendin 4ID, dhe që katër vite kam brendin “Lia Stublla”.

Si e vlerëson modën në Kosovë, sa i ndjekin trendët te ne?
Besoj që tash është shumë më mirë, vërehet një interesim, numri i klientëve po rritet, kanë filluar t’i kushtojnë rëndësi modës në mënyrë që të duken bukur.

Cilët janë artistët me të cilët ju punoni?
Kam punuar me një numër të madh të estradës sonë, me artistë të ndryshëm, por Dafina Zeqiri mbetet bashkëpunëtorja ime e rregullt. Prej katër vitesh Dafina vishet me dizajnët e mija në çdo event/ngjarje që ajo prezantohet.

Sa është e vështirë të bashkëpunoni me Dafina Zeqirin?
Deri më tani nuk kam hasur në vështirësi me të. Unë dhe Dafina e kemi një gjuhë të përbashkët për sa i përket stilit.

Ju keni një stil mjaft të veçantë, a mund të na thoni ku e gjeni inspirimin, a keni ndonjë stilist që ju pëlqen shumë?

Sigurisht të gjithë kemi stilistë që i pëlqejmë, do të doja ta përmendja: JOHN GALLIANO, DIOR, CHANELL etj. Inspirimi varet për çka jam duke dizajnuar dhe për kë p.sh: kur punoj me Dafinën inspirimi vjen nga vetë Dafina për t’i bërë veshjet aq të bukura dhe speciale.

Sa kohë ju duhet për të krijuar një fustan të veçantë dhe unik?
Varet prej modelit, nëse është diçka skenike dy deri në tri ditë është maksimumi, kurse për veshje të thjeshta shumicën e rasteve një ditë.

Çfarë plane ke për vitin 2014?
Në vitin 2013 e kam hapur pikën e shitjes në Ferizaj, 2012-të në Albi Fashion A&V, ku i prezantojnë veshjet e mija, e tani në 2014 shpresoj që t’i hap dy pika të shitjes që do t’i shihni me kohë.

Cili është mesazhi juaj për femrat në Kosovë?
Me qenë sa ma origjinal, mos të mundohen të jenë dikush tjetër se nuk mund të ndihen rehat me veshjen. Një stil apo veshje e tjetër kujt do të reflektojë keq sado e bukur ose e shtrenjtë të jetë ajo. Sugjeroj që secila femër të qëndrojë aty dhe me ato veshje që ndihet rehat.
Intervistoi: Shqipe Hoxha

Share: