Nuk është i kënaqur nga jeta…

23 Mars 2017

Emigrimi ilegal

Endej kot rrugëve me kokë ulur, dukej sikur po dridhej toka nga hapat e rëndë, ka disa dite që bënë kështu, vërehej nga dritarja e banesës se ka një hall.
Me flokë të shkujdesur, i parruar, cigaren e thithë aq forte sa të duket sikur donte ta përpijë të tërën, them kush është ky djalosh i çuditshëm?
Sikur bota t’i jetë përmbysur, sikur jeta ta ketë gjuajtur me flakë sikur një kuçedër, a thua po kërkon pak dritë ky djalosh?
Po unë çfarë kam, pse më intereson kaq shumë kjo sjellje e një të huaji, apo ndoshta që më është bërë sikur një episod, ta shoh çdo ditë në të njëjtën rrugë, me fytyrë të mërrolur gjithmonë, me një cigare që e thithë fortë.


Shumë doja ta kuptoja çfarë sikleti ka, iu afrova pak duke ecur por si ta pyes, edhe ashtu shihet i mërzitur, se besoj që do të ishte i gatshëm për një intervistë.
Dola prapë në dritare të nesërmen ta shoh një tjetër episod, dhe ja djaloshi me një valixhe i ulur në një gurë të madhe tek dera e oborrit te kishës së serbëve në Lipjan, këtë rast nuk dua ta lëshoj thashë, dhe shpejtë mora pallton shallin dhe ika si një vetëtimë për ta mbërritur djaloshin.
Po në atë vend mblidhen pothuajse çdo ditë dhjetëra të rinj, tanimë e edhe familje, hipin nëpër autobusë dhe e lënë Kosovën, ata migrojnë ilegalisht për në vendet evropiane. Tamam i ngjanë kohës së luftës.
U enda pak andej, s’dija si ta pyesja kur pak nga pak u bënë njëzet e dy persona dhe nga biseda qe bënin përgjova nga pak dhe fjalët e djaloshit ishin aq prekëse sa mu rrëqeth i tërë trupi, pasi sjelljet e tij të çuditshme mu bënë fiksim disa ditë me radhe, me të vërtetë mu dhimbs.
“20 vjet i kam dhe po shkoj nga Kosova, bile as familja nuk e di, ky vend është i mallkuar”, dëgjova disa nga fjalët që ua thoshte bashkudhëtarëve të tij, të cilët po ashtu po e linin atdheun e tyre.
U shtanga, por jo nga acari i janarit po nga jeta e një të riut i cili në mes të dimrit ikën pa ditur se çka e pret më tej, aq shumë i është bërë jeta e mjerueshme sa ndahet nga familja në të cilën i kaloi 20 vite, e a ka gjë më të ngrohte se familja!.
Ku ta dijë se ku do ta gjejë pranvera këtë djalosh, ndoshta as që i interesojnë lulet e pranverës, e ndoshta as aromën e luleve nuk ia ndien, a thua i gëzohet rrezeve të diellit, apo ndoshta e ka mendjen tek familja.
Ashtu apo kështu kjo jetë di të jetë edhe mizore, di të jetë, jetë e pa mbushur me jetë.
Kush e apo cilët janë fajtorët në këtë shtet të vockël i cili mezi vërehet në hartë, ç’faj kemi ne që Zoti na bëri banorë të këtushëm, dikush thotë qeveria e dikush andej e këndej, por ndoshta edhe lufta na zmbrapsi duke na lënë ende nëpër mjegull, e ende s’po mundemi me i marrë këmbët!.
Në fakt nuk e di, askush se di, ka mendime, arsye të ndryshme, por tek e fundit ashtu siç është populli është edhe qeveria, sepse populli vendos dhe voton ata që janë në pushtet.
Marigona Gashi

 

Share: