Pas suksesit në The Voice… i kthehet jetës në Prishtinë

22 Mars 2017

Intervistë me Vesa Smolica 

Një tjetër këngëtare nga Kosova ka shkëlqyer me zërin dhe paraqitjen e saj skenike në spektaklin “The voice of Albania 3” në Shqipëri. Ajo është Vesa Smolica, e cila ndonëse nuk mundi të shkojë në finale është bërë një zë shumë i dashur për publikun jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri. 

Vesa, ti njihesh për publikun edhe më herët si këngëtare, na trego çfarë të shtyri t’i hysh një gare muzikore në këtë rast në “The Voice of Albania 3”?
Faleminderit për mbështetjen. Në fakt nuk e kam pasur ndërmend të jem pjesë e një tjetër talent shou, por më bënë ftesë dhe pas shume insistimeve e pranova atë. Ishte një përvojë disa muajsh shumë e bukur duke nisur nga vetë organizimi i atij spektakli.

Trajnerët kanë bërë mjaft garë mes veti për të marrë ty në ekipet e tyre, por ti zgjodhe Alma Bektashin. Pse?
Edhe pse të katër trajnerët u ngritën ne këmbë, por në veçanti Aurela dhe Alma erdhën përkrah meje në skenë gjatë interpretimit të këngës, aq më shumë me bëri për vete Alma kur me tërhoqi për dore dhe me tha ulu në vendin tim te juria, reagimi i tyre pa komplekse dhe shume real me bëri te ndjehesha shume mirë përpara te gjithëve. Pa ndonjë arsye të veçantë me pas zgjodha Almen, me erdhi shumë spontanisht një vendim i tillë.

Nga e gjithë kjo eksperiencë, kontaktet e shumta, përfshirë këtu edhe punën me Almën, çfarë arrite të mësosh?
Në fund, nga kjo eksperiencë mëson se duhet të përballesh me çdo sfidë që të del përpara, të cilat i kapërceva me shumë mund me forcat e mia deri në gjysmë finale, pavarësisht vendimit në fund të drejtë apo jo, t’i duhet ta pranosh atë.

Cilat janë performancat tuaja që do t’i veçonit gjatë “Voice”-it?
Nuk dua të veçoj asnjërën. Kam kënduar rryma të ndryshme muzikore ku secila ka pasur rëndësinë e vet në interpretim. Ndonjëherë kam treguar anën time sensitive, energjinë duke bërë dhe performance gjatë interpretimit, po ashtu edhe vlerat e mia vokale, fundja për atë gjë kemi shkuar aty.

Ti në fakt ke performuar edhe më herët nëpër lokale të mbrëmjes. Por, në Tiranë a ke pasur mundësi të perfomrosh?
Po kam pas mbrëmje muzikore edhe në Tiranë, po shumë kohë më parë, ndërsa tash vonë sa herë dilnim bashkë me konkurrentët nëpër klube ku bëhej muzike live, ne kemi qenë të pranishëm dhe të gatshëm gjithmonë kur na ftonin për të kënduar.

 

A je zhgënjyer nga vendimi për të eliminuar në gjysmë finale?
Jam prekur paksa nga vendimi që morën në fund, pas gjithë asaj sakrifice disa muajsh prisja një vlerësim më të lartë, isha e bindur se do jem në finale duke bërë disa kalkulime në mendjen time, ashtu edhe duhej të ishte sa i përket skuadrës së Almës. Unë nuk e gjykoj vlerësimin e trajnerës, Alma Bektashi, e cila e tha edhe përpara publikut që kësaj radhe shkon me stilin dhe jo me zërin potent .

Cili ka qenë caku yt në “Voice…”, të arrish patjetër deri në finale, apo?
Për derisa bëhesh pjesë e një talent shou normalisht pretendimet ishin finalja, aty është e gjithë poenta. Por të flasim realisht, as finalistët nuk fitojnë më shumë se sa ata që e lëne garën me herët në këtë spektakël.

Ajo çfarë publiku nuk sheh nëpër këto gara janë prapaskenat për të cilat në fakt flitet shpesh nëpër media, duke përfshirë këtu edhe kalkulimet e ndryshme që mund të bëhen për fituesin. Sa vërtet ka kalkulime të këtilla?
The Voice eshte munduar pak a shumë edhe të marrë pak nga prapaskena dhe t’i shfaqë ato para publikut, ndërsa kalkulimet janë bërë gjithmonë nga vetë konkurrentët, ku secili kishte krijuar një përshtypje për dikë, por jo gjithmonë ndodhin ashtu si i parashikojmë ne.

Tani pas kësaj eksperience, kemi kuptuar se do t’ju përkushtohesh studimeve. Na trego çfarë studion dhe sa të ka munguar kjo pjesë gjatë kohës që ishe në Tiranë?
Po, studioj për marketing dhe administrim biznesi, është viti i fundit. Tashmë, thjesht duhet t’i jap rëndësi pak më shumë nga që i lash anash shumë provime shkaku i spektaklit të The Voice, por nuk do të thotë që gjatë kësaj periudhe unë do të bëj pauzë në muzikë. Unë do vazhdoj të punoj me projekte të reja dhe t’i publikoj ato para jush.

 

Për sa i përket muzikës, çfarë mund të presim nga ti?
Nuk bëj asnjëherë plane, por e di se nuk do ndaloj këtu. Kam ndërmend shume gjëra sa i përket muzikës, por se a do të realizohen me sukses të gjitha mbetet të shihet në vazhdim. Nuk do t’ju zhgënjej!.

A do të mund të të shohim edhe nëpër festivale, pasi edhe aty po marrin pjesë shumë këngëtar të rinj?
Ndoshta! Por mënyra më e mirë për të prezantuar dhe treguar veten është një kënge dhe një videoklip për çdo këngëtar/e. Ndërsa festivalet shërbejnë thjesht për të promovuar një këngë nëse s’ke mundësi për të bërë ndonjë videoklip.
Intervistoi: Medahe Junuzi

Share: