Prishtina, “strehë” e lypsarëve

23 Mars 2017

Numri më i madh i lypsarëve janë fëmijë.

Viteve të fundit qyteti i Prishtinës është vërshuar nga lypsarët të cilët kërkojnë lëmoshë në dimër e në verë. Të dhënat zyrtare të autoriteteve komunale thonë se numri më i madh i tyre janë fëmijë, por përvec fëmijëve, edhe të rriturit dhe gratë e moshuara enden rrugëve duke kërkuar sado pak nga kalimtarët e rastit në mënyrë që të sigurojnë bukën e gojës. Shumë prej tyre duket se nuk kanë të paktën një vend të sigurt për të kaluar natën. Ata mundohen që në mënyra e vende të ndryshme të bëjnë një sy gjumë. Në këtë rast jo rrallë herë bëhen shqetësim për banorët e tjerë.
Me gjithë gjallërinë që ka kryeqyteti i Kosoës dhe lëvizjet e mëdha të njerëzve, është e pamundur të kalosh në ndonjë rrugë pa parë persona që të shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike kërkojnë lëmoshë. Për këtë temë ne kemi biseduar me zëdhënësën e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu Bejta. Ajo thotë se komuna ka punuar në drejtim të kësaj kategorie të shoqërisë duke ndërmarrë edhe masa për identifikimin dhe largimin nga rruga, sidomos ata lypsarë që nganjëherë edhe shqetësojnë qytetarët.


“ Qendra për Punë Sociale në kuadër të DSHMS-KK Pishinë ka punuar gjatë tërë vitit në vazhdimësi me këtë kategori të shoqërisë sonë. Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Policinë e Komunitetit dhe zyrën e koordinatorit nacional ka filluar realizimin e një projekti për evidentimin, informimin dhe largimin nga rruga të fëmijëve dhe të rriturve që kërkojnë lëmoshë. Aksioni është në proces e sipër dhe rezultatet e para tregojnë që numri i lypsareve në kryeqytet është konstant ” tha zëdhënësja e Komunës së Prishtinës.
Sipas Bejtes në Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2014 janë regjistruar 77 lypsarë të moshës së mitur dhe 53 lypsarë të moshës madhore.
Për më tepër Komuna e Prishtinës siç deklaron Bejta, ka ofruar shërbim 292 lypsarëve në kryeqytet dhe se vazhdon të punojë me projekte të ndryshme.
Bejta thotë se tashmë Komuna është e fokusuar me ngritjen e qytetarëve për të mos dhënë lëmoshë pasi që nuk është një zgjidhje e mirë.
“ Ne si Komunë e Prishtinës tani jemi të fokusuar të punojmë edhe në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për të mos dhëne lëmoshë, pasi që duhet ditur se kjo nuk është mënyrë për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë “ deklaroi Bejta.
Ndërsa, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), vlerëson se për të pastrehët dhe lypsarëve ekzistojnë projekte për të siguruar vende të strehimit, banesa kolektive nga Komuna e Prishtinës.
Shala thotë se numri i lypësve dhe të pastrehëve vazhdimisht është duke u rritur.
” Kjo dukuri me të vërtet po rritet dita ditës është shqetësuese, shumica prej tyre vijnë nga vendet fqinjë të cilët zhvillojnë veprimtari tek ne” tha Shala.
Sipas tij Komuna më herët ka ndërtuar banesa kolektive për të siguruar një strehim të përkohshëm për të pa strehët dhe lypsarët me nevoja të domosdoshme.
Për më të tepër Shala theksoi se Komuna duhet të menaxhoj projektet përkatëse dhe se ky problem duhet të zgjidhet.

” Komuna duhet të menaxhoj projektin e sigurimit të banimit pasi që shumë prej tyre janë me kushte tejet të vështira. Zgjidhja për këtë fenomen mendoj që patjetër të bëhet sa ma shpejt.
Ata janë të vendosur në të gjitha rrugët e qytetit dhe në një mënyrë po prishet imazhi kulturor, prandaj duhet gjetur një rrugë e domosdoshme.” deklaroi Shala.

Edhe pse komuna ka ndarë shërbime të ndihmojë të pastrehët dhe lypsarët ky person vazhdon të mos jetë në një nga banesat kolektive. Ai jetën duket se e bën në kampusin e Universitetit të Prishtinës. .
Me kushte të vështira për të jetuar megjithatë ai mundohet ta bëjë më të lehtë jetën e tij duke siguruar të paktën ushqimin nga të hollat që i siguron nga të tjerët. Ai detyrohet që të shëtis pothuajse në shumë rrugë të kryeqytetit për të kërkuar kafshatën e gojës.
Fatin e tillë e kanë edhe shumë persona tjerë që në këtë kohë të ftohtë të bëjnë të pamundurën për mbijetesë dhe qëndrojnë me shpresë deri sa të bëhet zgjidhja duhur.
Berat Kostanica

Share: