Seferi premton fitore të reja në boks

22 Mars 2017

Intervistë me Nuri Seferi

Boksieri nga Gostivari që jeton në Zvicër, Nuri Seferi ,në një intervistë ekskluzive ka folur  rreth fillimit të karrierës së tij.  Si filloi hapat e parë të këtij sporti për  t’u bërë një kampion  i madh, që po i bënë krenarë gjithë shqiptarët kudo që janë.  Në këtë intervistë ai gjithashtu flet rreth ndeshjes së fundit që e fitoi në përballje me ish kampionin e botës, Steve Hernelius. 

Z. Nuri, së pari duam të dimë diçka më shumë rreth biografisë tuaj, ku keni lindur dhe ku jeni duke jetuar tani?
Së pari ju falënderoj për kohën që më kushtoni! Unë kam lindur në Gostivar të Maqedonisë dhe kam jetuar aty për rreth 16 vite, më pas me gjithë familjen emigruam për në Burgdorf të Zvicrës ku jetoj dhe momentalisht.

Kur filluat të ushtroni boks dhe kush ishte trajneri i parë që e zbuloi talentin tuaj për këtë sport?
Sapo erdhëm në Zvicër unë fillova të stërvitesha me sportin e boksit, por se kisha menduar kurrë që më pas ky sport do më kthehej në profesion dhe që do arrija deri këtu ku jam sot. Trajneri im i parë ishte Enrico Skakia, dhe ishte ai i cili më bindi dhe më mbështeti që unë isha i prerë për këtë lloj sporti.

Përveç teje dhe vëllait tuaj gjithashtu dhe gjyshi juaj është marrë me këtë sport, a është si traditë familjare sporti i boksit te ju?
Përgjithësisht ne si familje jemi familje sportistësh, e kemi në gjen. Faktikisht gjyshi im është marrë me mundje e jo me boks, gjithsesi dhe ai është sport që do shumë forcë, mund të them që është traditë familjare.

Sa orë në ditë ia kushtoni këtij sporti?
Kjo është relative, sepse asnjëherë nuk është njësoj, kur jam në fazën parapërgatitore ushtrohem dy herë në ditë dhe është shumë më intensive, por ajo çka mund t’ju them është se unë nuk kaloj asnjë ditë pa stërvitje, përveç fundjavës.

Në ndeshjen tuaj të fundit ju ishit përball një kampioni bote, sa ishte e vështirë përballja me të dhe sa kohë kishit që jeni përgatitur për këtë përballje?
Unë kisha rreth dy muaj që përgatitesha, dhe mund t’ju them që përballja me të ishte shumë e vështirë, por fatmirësisht gjithçka shkoj më së miri.

Pas kësaj fitore, që i bëre gjithë shqiptarët kudo që janë krenarë, kur mund të presim një përballje tjetër nga ti?
Të jem i sinqertë, mbas kësaj fitore ndihem shumë i motivuar dhe besoj që 2014 do ketë shumë surpriza për fansat e mi!

Intervistoi: Krenar Halimi

Share: