Trajneri që po shkruan historinë

22 Mars 2017

Intervistë me Dren Aga , trajneri më të ri në basketbollin kosovar

Me vetëm 20 vite mbi supe udhëheq një skuadër profesionale basketbolli. Është fjala për Dren Agën, djaloshin që po e udhëheqë me sukses New Bornin në Ligën e Parë të Basketbollit në Kosovë. Arsyeja e vetme pse Dreni ka vendosur të bëhet trajner është për t’i qëndruar sa më pranë lojës së tij të preferuar basketbollit,  pasi si lojtar profesionist nuk arriti ta realizonte ëndrrën e tij. Gjithsesi sukses i jashtëzakonshëm dhe histori në vete rrëfimi i djaloshit nga Prizreni, që bëhet trajneri më i ri në Kosovë e ndoshta edhe në gjithë Evropën që udhëheq një skuadër profesionale basketbolli.

 

Ndryshe nga bashkëmoshatarët tuaj që kanë vendosur të luajnë basketboll, pse ju keni vendosur të ushtroni profesionin e trajnerit?
Arsyeja e vetme pse kam vendosur të luajë në rolin e trajnerit është pikërisht loja e basketbollit, me ç’rast unë nuk pata fatin e bashkëmoshatarëve të mi të jem lojtar aktiv, por vendosa t’i përkushtohem pozitës se trajnerit në mënyrë që të jem sa më afër kësaj loje magjike.

Pra dëshira për të qëndruar afër basketbollit ka bërë që ti të pranosh çfarëdo roli, apo si qëndron puna?
Jo sinqerisht unë kam synuar që një ditë të bëhesha trajner në mënyrë siç thash të qëndroj afër basketbollit, por nuk e di nëse do të mund të udhëheqja një sektor tjetër, ndoshta në të ardhmen, pse jo!

Kush ju angazhoi në pozitën e trajnerit në New Born?
Ishin pikërisht Fidan Hamiti (president i klubit) dhe Islam Sylejmani (drejtor i klubit) që ma besuan pozitën e trajnerit në skuadrën e re të New Bornit. Më pëlqeu ideja e tyre dhe programi për t’i përkrahur djemtë e ri që nuk e kanë gjetur veten në klubet e tjera, dhe vendosa me kënaqësi ta pranoj këtë përgjegjësi. Gjithashtu në klub janë duke kontribuar edhe shumë njerëz të tjerë që po shkojnë drejt hapave të profesionalizmit që të kontribuojnë në basketbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.

Cilat janë përshtypjet e krijuara për gjatë këtyre pesë xhirove si dhe raporti me lojtarët?
Është një përvojë e mrekullueshme dhe një eksperiencë e veçantë për mua, pasi në këto pesë xhiro kam kuptuar se mund të vazhdoj me sukses të punoj në këtë profesion.
Kam një komunikim të shkëlqyer në raport lojtarët e mi, pasi që ata vijnë nga disa klube të njohura në Kosovë dhe e kuptojnë mjaft mirë detyrën time dhe kjo ma lehtëson tej mase punën. Gjithashtu edhe me gjyqtarë jam i mirë kuptueshëm, pasi që e di që ata mundohen ta ndajnë drejtësinë në mënyrën më të mirë dhe kur e dimë se nivelin e sigurisë e kanë zero atëherë mundohem t’i kuptoj edhe më shumë’’.

Po me gjyqtarët keni kundërshtime, pajtime, si qëndrojnë marrëdhëniet me ta?
Gjithashtu edhe me gjyqtarë kam mirëkuptim pasi që e di që ata mundohen ta ndajnë drejtësinë në mënyrën më të mirë dhe kur e dimë se nivelin e sigurisë e kanë zero atëherë mundohem t’i kuptoj edhe më shumë.

Punën e ndihmës trajnerit e kreu në moshë edhe më të re
Eksperienca e tij për shumë kë mund të jetë e re dhe befasuese, mirëpo aspak për Drenin që tashmë hapat e parë i kishte marrë qysh në adoleshencë, kohën kur po asistonte trajnerët e Bashkimit.
Gjithashtu, Dreni kryen rolin e asistentit në klubin elitar të RTV 21shit si dhe vijon studimet në Kolegjin Eurosport në fushën e Kulturës Fizike.

Zejen e trajnerit keni filluar ta mësoni në Bashkim, cili ishte roli yt atje si 17 vjeçar?
Ishte një periudhë e veçantë në jetën time pasi kam punuar në klubin më të vjetër në Kosovë si 17 vjeçar. Kam qenë ndihmës i disa trajnerëve më eminentë që kanë kaluar nëpër klubin prizrenas dhe atje jam kalitur për të marrë përvojën e duhur.

Pra mendoni se atje jeni kalitur dhe keni marrë përvojën e duhur për ta udhëhequr një skuadër dhe për të qëndruar në krye të saj?
Kam mësuar shumë gjëra nga shumë trajnerë profesionistë që kam pasur rastin të punoj me ta. Njeriu mëson gjatë gjithë jetës dhe në bazë të mësimeve dhe paraqitjeve e arrin përvojën e duhur.
Keni arritur këtë përvojën e duhur pasi nga pesë xhirot e para keni bilanc të qind për qind sa i përket numrit të ndeshjeve të fituar?
(Qeshet). Është një ecuri mjaft e mirë dhe vetë fakti se qëndroj në krye të këtij suksesi ndjehem i lumtur. Më duhet ende të mësoj dhe të kem një bagazh më të madh të ndeshjeve për të kuptuar se kam apo jo përvojën e duhur.

Pos angazhimeve që keni si trajner i New Bornit, cilat janë detyrimet tuaja të tjera?
Tani ushtroj edhe detyrën e asistentit në klubin basketbollistit RTV 21, dhe jam shumë i privilegjuar të punoj me trajnerët më të suksesshëm të basketbollit kosovar, si Arben Krasniqi dhe asistentin tjetër Andin Rahica. Gjithashtu më duhet të falënderoj edhe bordin e klubit që më japin përkrahje të vazhdueshme për të ecur para.

Primati i çdo të riut janë studimet dhe përfundimi i tyre. Si qëndron Dreni në këtë lami?
Për momentin jam duke ndjekur vitin e dytë në Kolegjin Eurosport në fushën e Kulturës Fizike, pres që të përfundoj me sukses pasi kam pasion për këtë shkencë.

Duke qenë gjithnjë afër sportit, ka ndikuar edhe në zgjedhjen tënde të drejtimit profesional në studime?
Natyrisht se po. Njeriu orientohet në atë që e ka më afër zemrës dhe unë kam bërë një zgjedhje të tille.

Cila është gjëja që e brengos Drenin në basketbollin kosovar dhe mesazhi juaj për bashkëmoshatarët tuaj që ndoshta të ardhmen të ndjekin rrugën tuaj?
Shqetësuese mbeten organet shtetërore që shprehin shumë pak interesim për zhvillimin e kulturës sportive dhe qasjen e të rinjve për t’u marrë me sport. Përkundër vullnetit të madh të shumë personave që me mjete vetanake të mbulojnë të gjitha sfidat dhe shpenzimet por kjo nuk po mjafton. Në fund dua t’i porosis të gjithë të rinjtë që të mos heqin dorë nga ëndrra e tyre pavarësish sfidave që kanë para vetes, sepse një ditë ndoshta mund të arrijnë të realizojnë qëllimet e tyre jetësore. Ndërkohë drejtuesve të klubeve kosovare u jap mesazhin, që t’u japin më shumë hapësirë basketbollistëve të rinj sepse ata janë e ardhmja e sportit kosovar e në veçanti basketbollit.

Intervistoi: Drilon Sylejmani

Share: