Zhongleri që theu katër herë rekordin botëror me top në kokë

22 Mars 2017

Intervistë me Agim Agushin

Matematicienti Agim Agushi, nga Smira e Vitisë, është bërë emër në arenën ndërkombëtare, në një sport me specifika të veçanta, zhonglimin e topit me kokë. Agushi deri më tani ka thyer katër rekorde botërore, si dhe një rekord të librit të Guinessit në goditjen e topit në kokë në pozitën ulur për mbi 4 orë. Në vitin 2014 ai synon që ta sfidojë ndërtesën më të lartë në botë në Dubai, duke u ngjitur dhe zbritur shkallëve me top në kokë. 

Z.Agushi, fillimisht, për lexuesit që nuk ju njohin a mund të na jepini një biografi të shkurtër?
Jam i lindur dhe jetoj në Smirë të Vitisë, me profesion jam matematicient dhe punoj si mësimdhënës i matematikës në gjimnazin “Kuvendi e Lezhës” në Viti. Si profesion të dytë nëse mund ta quaj sportin me specifika të veçanta, konkretisht zhonglimi i topit me kokë, sport në të cilin kam thyer katër rekorde botërore dhe një rekord të librit të Guinessit.

Kur keni filluar të merreni me këtë sport?
Me këtë sport jam marrë me kënaqësi të madhe qysh nga fëmijëria. Nuk e dija se sa kisha talent, nuk kisha ndonjë synim, sepse nuk e njihja këtë lloj sporti veç se e provoja të mbaja sa më gjatë topin me kokë. Tek në vitin 2002, i shtyrë nga profesori i edukatës fizike, Hasan Hasani, kam filluar të merrem seriozisht me këtë sport dhe t’i kërkoj mundësitë që këtë talent ta prezantoj edhe para të tjerëve.

Në fillim të intervistës përmendët se keni thyer katër rekorde të botës dhe një të Guinessit, a mund të na thoni se për cilat rekorde bëhet fjalë?
Të gjitha këto disiplina janë zhonglim i topit me kokë. Rekordi i parë i arritur është ecje duke goditur topin me kokë në distancë 15 km e 356 metra, për 3 orë e 12 minuta. Pastaj goditje e topit në çift, unë dhe Bujar Ajeti ku për 3 orë e 55 minuta kemi mbërri 11 mijë e 111 goditje, rekordi tjetër ishte goditje e topit në veturë në ecje në distancë 7km, si dhe rekordi ecje shkallëve lart-poshtë me top me kokë ku kam kaluar 5 mijë e 300 e katër shkallë për vetëm 1 orë e 37min, ndërsa rekordi i librit të Guinessit është goditje e topit në pozicion ulur për 4 orë e 2 min e 1 sekondë.

Cilat janë planet tuaj për të ardhmen. Apo më mirë të themi çfarë jeni duke përgatitur zoti Agushi ?
Planet e mija janë të shumta, por tani për tani jam duke u përgatitur për thyerjen e rekordit botëror në ecje nga mbrapa me top mbi kokë, më dëshirë të flaktë që ta mbroj diku në njërin nga qytetet e Kosovës, si dhe rekordin botëror vrapim në 100 dhe 200m me top me kokë, po ashtu edhe dy rekorde të librit të Guinessit, njërin duke vozitur vetë veturën kabriolet me top mbi koke, dhe një me djalin tim të goditjes së topit me kokë në dyshe.

Me gjitha këto suksese të arritura, sa ishte mbështetja financiare e institucioneve tona?
Institucionet tona na kanë mbështetur por jo mjaftueshëm, kjo mbështetje ishte shumë e vogël në krahasim me nevojat tona sepse vetëm prania e dy referëve ndërkombëtarë gjatë një gare për ta zyrtarizuar një rekord kushton diku 8-10 mijë euro, sikur gara të mbahej në Kosovë, pa shpenzimet tona, por kur gara mbahet në ndonjë shtet tjetër atëherë do të duhej të paguanim referët, biletat, qëndrimin, ushqimin etj, kjo shumë do të ishte shumë më e madhe.

Duke pasur parasysh angazhimet tuaja në sport, si arrini të ndani kohen edhe për profesionin e mësimdhënies?
E keni bërë një pyetje shumë interesante sepse edhe unë vetë e pyes veten ndonjëherë se si po ja dal që ta menaxhoj orarin e punës dhe orarin e ushtrimeve. Por unë mendoj që kur ekziston dëshira dhe vullneti gjithçka mund të arrihet. Kur nuk kam një afat të përcaktuar kohor unë ushtroj sa për të mbajtur formën por kur afrohem për një garë atëherë dy muaj para çdo gare ushtroj deri në gjashtë ditë në javë.

A mund të na thoni cili është synimi kryesor për vitin 2014?
Synimi kryesor për vitin 2014, është sfidimi i ndërtesës më të lartë në botë në Dubai, lartësia e të cilës është 857 metra apo 160 kate, duke u ngjitur dhe duke zbritur shkallëve me top me kokë.
Intervisoi: Avdi Lutfiu

Share: