Doli numri i ri i Thesis, me autorë nga universitete prestigjioze

13 Korrik 2021

Doli nga shtypi numri i ri i revistës shkencore ndërkombëtare Thesis, të cilin e boton Kolegji AAB.

Në këtë numër janë përfshirë 10 artikuj shkencorë të shkruar nga autorë që vijnë nga universitete prestigjioze, si:

Universiteti Bielefeld, University College London, Universiteti Roma Tre, Universiteti Vrije i Brukselit, Universiteti Osaka, Hellenic Open University, Kaplan Higher Education Singapore, nga Kolegji AAB dhe nga Universiteti i Evropës Juglindore.

Artikulli i parë i shkruar nga autorë grekë, gjermanë dhe singaporianë, trajton përdorimin e maskave të fytyrës në arsim si pasojë e pandemisë Covid-19.

Artikulli i dytë i shkruar nga studiuesi anglez Hoyte-West, merret me multilingualizmin në Ballkanin Perëndimor, me fokus të veçantë në përkthim dhe interpretim.

Një artikull tjetër trajton një tematikë të ngjashme, që ka të bëjë me gabimet e studentëve shqiptarë të Maqedonisë Veriore gjatë përkthimit nga shqipja në anglisht. Studiuesi nga Bielefeld trajton konceptin gjerman të “bildung” sipas kriticizmit të Adornos. Një artikull tjetër me autor nga Universiteti Vrije i Brukselit, trajton harmonizimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-së për sa i përket shpifjes në media.

Artikujt e tjerë gjithashtu janë të shkencave sociale dhe humaniteteve, ku mes tjerash janë edhe disa artikuj të fokusuar mbi Ballkanin.

Thesis është revistë shkencore ndërkombëtare e cila publikohet dy herë në vit, online dhe në letër, e indeksuar në dhjetëra platforma ndërkombëtare.

Numri i fundit gjithashtu mund të lexohet online, duke qenë se Kolegji AAB i përmbahet dhe mbështet parimin europian të qasjes së hapur në kërkimin shkencor.

Share: