Edhe një student i AAB-së, studimet master do t’ i ndjekë në SHBA

7 Mars 2016

Studenti Arben Fejza,  i diplomuar në Fakultetin e Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, nga viti akademik 2016/ 2017, studimet master do t’ i fillojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë bursës së plotë të fituar nga organizata  World Learning në bashkëpunim me USAID-in dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), në programin Transformational Leadership Program- Scholarships and Partnerships (TLP- SP).

Në një bisedë për gazetën“STUDENTI”, Arbeni ka thënë se AAB  ka krijuar një sistem arsimor që është në përputhje me standarde evropiane, ku studentit i mundësohet dhe i ofrohen të gjitha kushtet për studime të mirëfillta akademike.  “Unë gjatë tri viteve të studimeve bachelor kam pas rastin të më ligjërojnë profesorë të nivelit të lartë,  krahas stafit administrativ që kanë qenë shumë profesional ndaj shërbimeve tona. Gatishmëria e dy palëve për një komunikim të suksesshëm me studentë dhe hapësira e secilit student  për të shprehur mendimin na kanë bërë të suksesshëm në profesion dhe sot gëzojmë vende të mira punë dhe bursa jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Arbeni  pas diplomimit të studimeve në AAB është punësuar dhe aktualisht punon si përkthyes në projektin “Mbështetje për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, projekt i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Ndryshe, bursa studimi në ShBA, në vitin akademik 2015/16 kanë fituar edhe dy ish studentë të tjerë të AAB-së, Ngadhnjim Halilaj dhe Dren Puka, të cilët studimet bachelor i kanë përfunduar për Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të AAB-së.

Share: