Shkenca Sociale

Misioni i Fakultetit tё Shkencave Sociale është që të përkrahë aspiratat arsimore të studentëve me qëllim që t’i përgatis ata të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në çështjet arsimore, kulturore dhe sociale në një kontekst më të gjerë. Fakulteti i Shkencave Sociale kërkon të sigurojë një përvojë të shkëlqyeshme të studentëve dhe të transformojë mjedisin më të gjerë socio-ekonomik drejt konkurrencës së qëndrueshme përmes nxitjes së kërkimit të besueshëm, inovacionit dhe përafrimit të akademikëve dhe vlerave me tregun e punës.

Fakulteti kombinon mësimin teorik me atë praktik duke i mundësuar studentëve marrjen e bazave kryesore teorike, zhvillimin e shkathtësive praktike, dhe aplikimin e kompetencave për zgjidhjen e problemeve komplekse. Krahas kësaj Fakulteti synon zhvillimin e personalitetit të studentëve,  duke i angazhuar ata në diskutime të ndryshme që lidhen me çështjet sociale, etike, dhe përgjegjësinë sociale.

Fakulteti i Shkencave Sociale promovon pjesëmarrjen dhe angazhimin e studentëve në përmirësimin e procesit mësimor duke kontribuar kështu edhe në ndërtimin e shkathtësive të udhëheqjes, bashkëpunimit dhe përgjegjësisë ndaj të tjerëve.

Dekanati

Mimoza Kamberi

Dekane

Prof. Ass. Dr. Mimoza Kamberi është profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Psikologjisë dhe Shkencave Sociale në Kolegjin AAB, ku ushtron detyrën e saj që nga viti 2015. Aktualisht, ajo mban edhe pozitën e Koordinatores për bashkëpunim dhe shkencë në kuadër të këtij fakulteti. Gjatë viteve të saj të angazhimit në institucion, ajo ka kontribuar në zhvillimin akademik dhe organizativ të Kolegjit AAB përmes funksioneve të rëndësishme si: Koordinatore për bashkëpunim dhe shkencë (2024 – tutje), Prodekane për mësim (2019–2024), u.d. Dekane (2017–2019), si dhe Koordinatore për mësim dhe sigurim të cilësisë (2015–2017).

Dr. Kamberi ka përfunduar studimet doktorale në Universitetin e Prishtinës në vitin 2022, në fushën e psikologjisë së edukimit. Ajo ka përfunduar gjithashtu studimet master dhe bachelor në psikologji pranë të njëjtit universitet, duke ndërtuar një profil të fuqishëm akademik dhe profesional në fushën e psikologjisë zhvillimore dhe edukimit.

Në aspektin akademik, Prof. Kamberi ligjëron lëndë në nivelin bachelor dhe master, përfshirë: Psikologjinë e edukimit, Teoritë e të nxënit, Edukimin dhe zhvillimin e hershëm të fëmijës, si dhe Psikologjinë e fëmijëve. Ajo ka ndërtuar përvojë të gjerë praktike që nga fillimi i karrierës së saj përmes praktikave në Qendrën Psikiatrike për Adoleshentë dhe Fëmijë në QKUK dhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë.

Prof. Kamberi ka përfaqësuar Kolegjin AAB në projekte dhe vizita studimore ndërkombëtare, si pjesëmarrëse dhe bursiste në programe të ndryshme të ERASMUS+ dhe Tempus në universitete prestigjioze si Radboud University (Holandë), Universiteti i Ljubljanës (Slloveni), Universiteti i Edinburghut (Skoci), Universiteti i Cork-ut (Irlandë) dhe Universiteti i Salzburg-ut (Austri).

Prof. Kamberi është anëtare aktive në struktura akademike dhe profesionale, përfshirë Këshillin Profesional të QAPI-it (Qendra për Aftësim Profesional dhe Inovacion), Komisionin për Sigurim të Cilësisë në Kolegjin AAB, dhe Këshillin e Studimeve Master (KSM). Ajo ka përfaqësuar Fakultetin e Psikologjisë në konferenca shkencore ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës, ku ka prezantuar punimet e saj në fushën e edukimit dhe zhvillimit të të rinjve.

Ajo është autore e disa publikimeve shkencore të indeksuara ndërkombëtarisht në revista prestigjioze, ndër të cilat përmendim:

  • The types of intrinsic motivation as predictors of academic achievement: the mediating role of deep learning strategy, Cogent Education (2025)
  • Experiences With and Risks of Internet Use Among Children in Kosovo, Journal of Elementary Education (2022)
  • Anxiety predictors among college students in Kosovo, International Journal of Adolescence and Youth (2019)

Përveç angazhimeve akademike, ajo është e pranishme edhe në media përmes pjesëmarrjes në emisione dhe intervista që trajtojnë temat e zhvillimit psikologjik, edukimit dhe shëndetit mendor të fëmijëve dhe të rinjve.