PITF 2018 vjen me mesazhin “…bota le të flasë për ne”

“If we cannot see the world, let the world speak of us”, është motoja e edicionit të dytë të festivalit “Prishtina International Theater Festival” që do të zgjasë për tetë ditë në teatrin AAB “Faruk Begolli”.

I ideuar për të bashkuar dashamirës të teatrit dhe artit në përgjithësi, edicioni i sivjetmë i PITF 2018 do të sjellë gjithsej shtatë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, të gjitha këto shfaqje që në vete përmbajnë tema aktuale.

Drejtoresha artistike e festivalit, Burbuqe Berisha tha se ky edicion i festivalit në vete përmbanë shfaqje të ndryshme të trupave teatrale nga Bullgaria, Krocia, Italia, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova dhe se përzgjedhja e tyre ka qenë e menduar dhe e planifikuar mirë, që në fund të shfaqjeve shikuesi të marrë një mesazh.

“Këtë vit nuk kemi pasur përkrahje, normalisht që buxheti të krijon një komoditet tjetër, por, kryesisht jemi munduar t’ i marrim ato shfaqje që na kanë pëlqyer dhe jemi munduar që të mos kursejmë sa i përket pjesës artistike, por, gjithsesi është partneriteti pjesë kryesore sepse kemi hasë në mirëkuptim me trupat teatrale që kanë ardhur. Ne jemi munduar që të kemi një program shumë solid dhe që do të jetë shumë i mirë dhe atraktiv për shikuesit”, tha Berisha.

Ndërsa, koordinatori i festivalit, Zija Rexhepi tha se shfaqja që do vijë sonte ka për qëllim të ngris zërin kundër dhunës. Ai gjithashtu potencoi se gjatë këtyre ditëve sa edhe do të mbahet festivali pjesëmarrësit do të kenë mundësi të jenë edhe pjesë e programeve artistike pas shfaqjeve të organizuara nga PITF.

 “Tema e shfaqjes së sontme koincidon me fushatat të cilat kanë për qëllim ngritjen e zërit kundër dhunës së grave me plot probleme të cilat përmenden këtu. Ju e keni parasysh që të gjitha mediat po raportojnë për dhunën, dhe kjo shfaqje jo rastësisht është vendosur si e para për edicionin e parë të PITF 2018”, tha Rexhepi.

Shfaqja “Gratë”, nga Maqedonia vjen sonte me fillim nga ora 19:00.

Festivali “Prishtina International Theater Festival” është një mundësi e mirë për të parë dhe shijuar gjëra të bukura që ndodhin edhe në Kosovë. Andaj, mos mungoni! Ejani dhe ndiqeni Festivalin PITF 2018, në hapësirat e Kolegjit AAB në Prishtinë.

 

 

INSTITUTI AAB
APLIKO