Fjalimi i Rektorit të Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim TAFA me rastin e fillimit të vitit akademik 2018/19 – AAB po përgatit kuadro për tregun evropian!

1 Tetor 2018

Të dashur studentë, të nderuar mysafirë, profesorë dhe staf menaxhues i AAB-së,

Është kënaqësi shumë e madhe që sot në emër të AAB-së t‘ Ju dëshiroj mirëseardhje në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik të gjithë studentëve të vitit të parë, me të cilët do të jemi bashkë nga sot e deri ne diplomimin e tyre.

Të dashur studentë,

Kjo ditë është e rëndsishme jo vetëm për Ju por edhe për të gjithë ne, sepse Ju sot po e filloni një etapë shumë të rëndësishme të jetës suaj. Përgatitjen tuaj profesinale që do t’ ju shërbejë gjithë jetën, dhe këtë po e bëni me ne. Ne Ju falënderojmë që e keni zgjedhur AAB-në për të ndërtuar karrierën tuaj, dhe unë po ju them se JU KENI BËRË ZGJEDHJEN E DUHUR!

AAB është jo vetëm institucioni i parë i themeluar në Kosovë nga sektori jopublik, jo vetëm institucioni më i madh, jo vetëm institucioni me shkallën më të lartë të investimeve në fushën e arsimit por edhe institucioni më cilësor në Kosovë dhe më gjërë, këtë e thonë të gjitha ranglistat ndërkombëtare.
Çka e bën një institucion cilësor? Atë e bëjnë studentët e mirë, profesorët e mirë, dhe stafi tjetër tenik e administrativ i përkushtuar, e asnjëra nga këto nuk i mungojnë AAB-së.

I shihni këto hapësira të bukura që janë ndërtuar me shumë shije e përkushtim për Ju studentë, që si infrastukturë i konkurrojnë çdo universiteti në botë. Kjo është diçka që mund të shihet dhe për këtë nuk dua të flas, por patjetër do ta them një fjali, të cilën ia them çdokujt që vjen në AAB, për pjesën që nuk duket me sy, por që ndjehet nga të gjithë ata që marrin shërbimet e AAB-së, se pjesa që nuk duket është edhe më e bukur se kjo që po shihet.

Të dashur studentë,

Studimet janë një ëndërr, dhe ju sot po e filloni atë, janë disa gjëra që ju duhet t’ i dini: duhet të dini se rruga e suksesit nuk është e lehtë, duhet shumë punë mund e sakrificë, dhe më kryesorja është se duhet të jeni këmbëngulës. “E ardhmja i përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre”, e thoshte Ruzvelti.
Po cili është qëllimi i studimeve dhe cila është puna e universiteteve? Ne e kemi të qartë këtë, ne përgatisimi kuadro për tregun e punës, dhe atë jo vetëm në Kosovë por edhe për tregun rajonal, atë të BE-së, por edhe atë global.Ne kemi arritur marrëveshje me kompani e partnerë seriozë nga vende të BE-së, tregu i të cilëve ka nevojë për profesionalizmin tuaj. Besimi që kanë partnerët tanë në Evropë, na bëjnë neve që të jemi më të sigurt për punën që po bëjmë se bashku. 

Pra, AAB po përgatit kuadro për tregun europian dhe kjo është e bukur. 
Prandaj, unë dua t’ ju porosit se pavarësisht profesionit që ju keni zgjedhur, një gjë ka rëndësi: që profesionit t’ i qaseni me përkushtim e dashuri! Sepse e ka thënë një njeri shumë i rëndësishim, njeriu që ka ndryshuar botën të cilën e jetojmë, një njeri që ju e keni shumë për zemër, e ka thënë Stiv Jobs:”E vetmja mënyrë për të bërë punë të mëdha është që ta doni atë që bëni”!

Ju faleminderit shumë!

Urime dhe suksese!

 

Share: