Ish kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice dhe Nevenka Tromp nga Ekipi Hulumtues në procesin ndaj Millosheviqit, mbajtën ligjëratë për studentët e AAB-së

Studentët dhe mësimdhënësit e Fakultetit Juridik, të Administratës Publike dhe të Psikologjisë, në Kolegjin AAB, patën rastin të dëgjojnë rrëfimin e ish kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, në procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit, Sir Geoffrey Nice. Ai së bashku me Prof. Nevenka Tromp, ligjëruese në Studimet për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit (UvA), dhe anëtare e Ekipit Udhëheqës Hulumtues në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, si dhe hulumtuese kryesore e ekipit që ndoqi penalisht Sllobodan Millosheviqin, mbajtën një takim me studentët e AAB-së, ku u pritën nga prorektorja Venera Llunji, si dhe profesori i Kolegjit AAB, Kastriot Myftiu, i cili është në proces të përkthimit të librit të Prof. Nevenka Tromp “Prosecuting Slobodan Milosevic” (“Procesi gjyqësor ndaj Sllobodan Millosheviqit”).

Me këtë rast Sir Geoffrey Nice dhe Prof. Nevenka Tromp biseduan për më shumë se dy orë me studentët për rastin Kosovës, ecurinë e gjykimeve të cilat janë bërë lidhur me luftën në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë dhe duke e theksuar rastin e masakrës së Reçakut, ngjarje kjo e cila e lëvizi gjithë diplomacinë ndërkombëtare dhe forcat e NATO-s për ndërhyrje në Kosovë me qëllim të shmangies së spastrimit etnik dhe vrasjeve masive të popullatës civile që ndodhën në ato vite. Po ashtu u diskutua për mënyrën e grumbullimit të fakteve dhe provave gjatë procesit të gjykimit, vështirësive që zakonisht hasen në procese të tilla kur një qeveri qëndron prapa një skenari kriminal dhe pastaj përpiqet ta fshehë të vërtetën.

Libri i Prof. Nevenka Tromp “Procesi gjyqësor ndaj Sllobodan Millosheviqit” i cili ngërthen në vete shumë hollësi nga ky proces, do të promovohet në Kolegjin AAB gjatë muajit maj, kohë kjo kur Kolegji feston përvjetorin e 17-të të themelimit të tij.

 

INSTITUTI AAB
APLIKO