Kolegji AAB dhe Rrjeti CSR Kosova nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

28 Shtator 2020

Kjo marrëveshje formalizon partneritetin dhe angazhimin ndërmjet Rrjetit CSR Kosova dhe Kolegjit AAB, për të ndërtuar një bashkëpunim me qëllim të kontribuimit në fuqizimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve kosovarë.

Bashkëpunimi fillimisht do të fokusohet në projektin “Kosovo Generation Unlimited” i cili implementohet nga Rrjeti CSR Kosova, e përkrahet nga Programi i UNICEF-it në Kosovë, dhe për qëllim të përgjithshëm, në partneritet me aktorët relevant (UNICEF, sektori privat, institucionet qeveritare, institucionet arsimore & të tjera), të krijojë mundësi përmbajtësore për të adresuar dhe mbështetur nevojat e pa plotësuara të të rinjve tanë – në fushën e edukimit jo-formal, zhvillimit të aftësive të tyre profesionale, dhe gjithashtu, krijimin e mundësive të punësimit/punë praktike.

Në të njëjtën kohë, ky projekt synon të kontribuojë në fuqizimin dhe zhvillimin e këtyre të rinjve, duke rritur kapacitetin dhe mundësinë e pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, formimin e politikave dhe përfshirjen e tyre në procese vendimmarrëse, përmes asistencës së mentorëve vullnetarë të sektorit privat ose mentorëve të tjerë të rinj profesional.

Të rinjtë e siguruar nga Kolegji AAB do të angazhohen si praktikantë në kompani/organizata të ndryshme, për një periudhë kohore prej 3 muajsh, dhe një numër i tyre do të kontribuojë në cilësinë e mentorit/mentores së të rinjve, përmes iniciativave të ndryshme në kuadër të Programit të UNICEF-it.

Profesionistët në cilësinë e mentorit/mentores do të asistojnë të rinjtë, të cilët do të jenë përfitues (15-24 vjeç) të programeve zhvillimore të UNICEF-it, në kuadër të Programit të Zhvillimit të Adoleshentëve dhe Pjesëmarrjes (ADAP), për të arritur potencialin e tyre në zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të tyre, me karakter social, në komunitete të ndryshme.

Marrëveshja u nënshkrua nga Prof. Ass. Dr. Venera Llunji, Pro-rektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe Vesa Dinarama, përfaqësuese zyrtare e Rrjetit CSR Kosova.

Share: