Kolegji AAB forcon bashkëpunimin ndërkombëtar me Universitetin e Schmalkalden në Gjermani në fushat e inteligjencës artificiale, shkencave kompjuterike dhe inxhinierisë
Kolegji AAB ka mirëpritur një delegacion akademik nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Schmalkalden, Gjermani, në një vizitë zyrtare të nivelit të lartë, e cila u zhvillua me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zgjerimin e partneritetit akademik mes dy institucioneve. Delegacioni u prit nga Rektori i Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri.
Delegacioni gjerman përbëhej nga Dr. Paul Voerkel, M.Eng. Venkata Prashanth Uppapalati, Prof. Dr. Kurt Englmeier dhe Prof. Dr. Frank Schödel.
Gjatë takimit u diskutuan mundësi konkrete për thellimin e bashkëpunimit në fusha me rëndësi strategjike dhe globale, duke përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve akademike ndërkombëtare.
Një fokus i veçantë iu kushtua interesit të Kolegjit AAB për avancimin në fushat prioritare të së ardhmes si shkencat kompjuterike, inteligjenca artificiale (IA), inxhinieria dhe teknologjitë digjitale, të cilat përbëjnë shtylla kryesore të zhvillimit global akademik dhe industrial.
Të dy institucionet vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ndërkombëtarizimit, rritjes së cilësisë akademike dhe forcimit të lidhjeve me universitetet evropiane. U theksua gjithashtu angazhimi i përbashkët për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik në kuadër të programeve ndërkombëtare dhe projekteve të përbashkëta.
Ky takim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Kolegjit AAB dhe në konsolidimin e tij si institucion i orientuar drejt inovacionit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit global.