Kolegji AAB forcon praninë ndërkombëtare në Ditët e Partneritetit në Bergen

23 Prill 2026

Kolegji AAB po shënon prani të rëndësishme në Ditët e Partneritetit Ndërkombëtar që po mbahen në Bergen, një ngjarje që mbledh partnerë akademikë nga mbarë bota në NLA University College në Norvegji.

Delegacioni i Kolegjit AAB, i përbërë nga prorektorja Venera Llunji, dekanët Aida Alla dhe Vrullim Buja, si dhe përfaqësueset e Zyrës për Projekte Ereza Mehmeti dhe Arta Musollaj, po kontribuon aktivisht në këtë ngjarje ndërkombëtare, duke theksuar rolin dhe angazhimin e institucionit në bashkëpunime strategjike.

Ceremonia filloi me një program artistik, ku profesorët Ingrid Traetteberg dhe Gunnar Innerdal interpretuan pjesë në piano. Ngjarjen e hapi zyrtarisht rektori Sigbjørn Sødal, ndërsa zëvendësrektori Amund Langøy prezantoi zhvillimin dhe historikun e institucionit pritës.

Prorektorja Venera Llunji takoi rektorin Sigbjørn Sødal dhe zëvendësrektorin Amund Langøy. Gjatë këtij takimi u diskutua në mënyrë të detajuar bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet dy institucioneve, si dhe u prezantuan projektet e përbashkëta që janë duke u zhvilluar, duke hapur perspektiva të reja për thellimin e partneritetit strategjik.

Dekanja Aida Alla prezantoi Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, duke theksuar bashkëpunimin e thellë ndërmjet dy institucioneve në shkëmbimin e studentëve, si një nga shtyllat kryesore të këtij partneriteti.

Në kuadër të aktivitetit, Ereza Mehmeti prezantoi projektet e Zyrës për Zhvillim të Projekteve, duke vënë në pah angazhimin konkret të Kolegjit AAB në iniciativa ndërkombëtare dhe programe bashkëpunimi. 

Pjesëmarrja aktive e Kolegjit AAB në këtë ngjarje ndërkombëtare dëshmon përkushtimin e institucionit për ndërkombëtarizim dhe për forcimin e lidhjeve me institucione prestigjioze evropiane, duke e pozicionuar atë si një aktor të rëndësishëm në arenën akademike ndërkombëtare.

Share: