Dy studente të Fakultetit të Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, Fatjona Kuçi dhe Edita Maraj, janë të vetmet pjesëmarrëse nga të gjitha universitetet shqiptare që po ndjekin Shkollën Verore Ndërkombëtare GUSEGG 2021, që organizohet nga Universiteti i Gracit në Austri.
Këtë shkollë verore që është themeluar nga viti 2014, e kanë ndjekur mijëra studentë nga universitete anekënd botës, ndërsa këtë vit për shkak të situatës pandemike, shkolla është organizuar në formatin hibrid.
Programi i sivjetmë i Shkollës Verore GUSEGG 2021, e cila mbahet në Kështjellën Seggau në Grac, do të zgjasë deri me 10 korrik. Në program janë përfshirë ligjërata, seminare indviduale, diskutime dhe mundësi rrjetëzimi me ligjërues dhe studentë ndërkombëtarë, zhvillim të shkathtësive të të folurit publik, akademik dhe shkrimit kreativ. Po ashtu, studentët do të kenë mundësi të botojnë punimet e tyre në revistën Off Campus: Seggau School of Thought.
Fatjona dhe Edita, të cilat po marrin pjesë në këtë aktivitet akademik janë studentë të dalluara në Fakultetin e Gjuhës Angleze, dhe ndekin studimet në kampusin e Gjakovës në AAB.